Berisha, Meta dhe Rama

Triada e domosdoshme Berisha-Meta-Rama

17 Prill 2023, 17:08| Përditesimi: 17 Prill 2023, 17:13

  • Share

Partia Socialsite e kryeministrit Edi Rama publikoi një spot elektoral në të cilin shfaqet ish-kryeministsri Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta si kundërshtarët e vjetër, të konsumuar, që nuk mund t’i ofrojnë asgjë Shqipërisë dhe që do të duhet të refuzohen nga zgjedhësit për arsye, që kanë të bëjnë me gjithë historinë e tyre politike.

Ky spot në fakt, ndonëse i shfaq Berishën dhe Metën si kundërshtarë, i ndihmon ata të shfaqen si forca përballë Ramës, si “rreziku” përballe Ramës. Ky spot padyshim që ndihmon në një mënyrë të pamendueshme Ramën, i cili kërkon të thotë që këta kundërshtarë nuk mund të fitojnë, nuk janë fare alternativë. Është folur për shumë kohë që këta tre politikanë kanë nevojë për njëri-tjetrin, se këta tre politikanë në një mënyrë apo në një tjetër janë bartës dhe garantues të këtij sistemi qeverisës dhe madje të këtij sistemi politik.

Në zallamahinë e pafundme të gjërave, që thuhen pa ndalur nga media dhe politikanët është gati e pamundur të merret vesh, se cila ka brenda pjesë të të vërtetës dhe cila nuk ka asgjë, cila është e vërteta dhe cila është rrenë e plotë. Kësisoj po përpiqemi të shohim pak më gjerë në natyrën e sistemit tonë qeverisës dhe atij politik.

Kryeministri Rama që në krye të herës, në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013, kur ishte në opozitë dhe po sendërtonte “ofertën” e tij përfshiu në PS shumë njerëz dhe kandidatë për deputetë (skuadra e Rilindjes e quante) që vinin nga ish prokuroria apo hetuesia e sistemit komunist, biznesmenë (disa vinin edhe nga emigracioni) ish drejtues të Mjaft-it, “njerëz të fortë” që vinin nga e një kaluar shumë e dyshimtë për lidhje me trafikun e drogës dhe korrupsionin. Rama thirri në koalicion edhe LSI-në e cila kishte patur një katërvjeçar në pushtet me PD-në, pushtet që e kishte bërë PD-në dhe qeverisjen të zhytej në një llucë që nuk lahej dot kurrë.

Nga pikëpamja ideologjike PS-ja e Ramës ishte një përzierje e rrëmujshme ofertash socialiste për legalizim dhe shëndetësi falas, për heqje TVSH-je për ushqimet, ofertash liberale për ligje që do tu jepnin leje lindjeje burrave, ofertash të djathta ku do të kishte taksim të ulët ose zero për dividentin, konçesione me partneritet publik-privat etj. Në thelb nga pikëpamja ideologjike PS-ja kishte zhdukur socialdemokracinë që gjendej tek Pëllumbi, Dokle, Hardaraga, Lakrori, Mejdani etj dhe ishte bërë një parti pa ideologji, me fokus tek një pragmatizëm pa ngjyrë dhe pa etikë. Nga pikëpamja e funksionimit dhe e pushtetit ajo i kishte hapur rrugë dy kategorive që deri në atë periudhë kishin patur marrëdhënie të një natyre tjetër me politikën. Ajo kishte përfshirë në vendimmarrje dhe në funksione njerëz të krimit dhe të biznesit klientelist.

Kjo triadë e një vije ideologjike pangjyrë të politikanëve që vinin nga Mjaft-i dhe atyre që mbajti Rama ose thirri Rama nga PS, e krimit dhe e biznesit ishte dhe është në të vërtetë ajo që përbën forcën kryesore të qeverisjes.

Gjatë këtyre dhjetë viteve ne pushtet, pa u zgjatur, krimi i organizuar dyshohet se ka emëruar kryetarë baskish, deputetë, zyrtarë të lartë, ka mbjellë Shqipërinë me hashash masivisht, ka sjellë në Shqipëri vazhdimisht sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori, sasi që vetëm një rast thuhet se kapte vlerën e 200 milionë dollarëve. Nuk dihet se në çmasë krimi i organizuar ndërton apo bën biznes por dihet që është thuajse një kolonë e triadës së qeverisjes.

Gjatë këtyre dhjetë viteve biznesi klientelist, disa biznese të mëdha, kanë marrë renta dhe leje, liçensa dhe koncesione gjerësisht. Vetëm katër pesë biznese të mëdha dominojnë lejet koncesionare, që kapin vlerën e mbi dy miliardë eurove. Sipas INSTAT-it 2,5% e kompanive marrin 47% të vlerës totale të parave që tenderon qeveria. Kaq mjafton për këtë argument. Kjo triadë ka në kontroll sistemin politik, mediat, institucionet e tjera në një masë të madhe.

Douglas North (fitues i çmimit Nobel) dhe Berry Weingast thonë se në vende të cilat ata i quajnë të dominuara nga “rendi i aksesit të kufizuar” kushdo që ka fuqi për dhunë dhe që ka akses tek dhuna përfshihet në vendimmarrjen politike në bazë të kësaj fuqie dhe të këtij aksesi. North dhe Weingast thonë se sistemi politik i thërret këta ose i lejon të hyjnë në të dhe të kontribuojnë me anë të kësaj fuqie për dhunë ose të këtij aksesi tek dhuna.

Sistemi politik iu jep atyre renta dhe privilegje në politikë dhe në ekonomi në përputhje me fuqinë për dhunë. Pra në rastin tonë njerëz të krimit të organizuar dhe biznesit klientelist u thirrën ose u lejuan nga PS-ja që të përfshihen në politikë (duke blerë vota, duke financuar partinë dhe fushatën, duke ndihmuar të mbrohet vota… etj). Ata në përputhje me këtë kontribut marrin dhe morën renta në ekonomi dhe privilegje në politikë, Pra emëruan njerëz në parliament dhe bashki, morën tenderë dhe koncesione, bënë dhe bëjnë trafik. Ata janë pjesë themelore e vendimmarrjes politike. Ky rend ka tipare të tilla si marrëdhënie komplet personale (jo impersonale, jo ligjore), institucionet nuk funksionojnë, hyrja në sistem, gjetja e një pune në administratë, marrja e nje leje apo tenderi, bërja e një karriere etj varen të gjitha nga triada dhe nuk hyhet ndryshe. Po nuk qe në zinxhirin e traides nuk merr asgjë.

Edhe para se të vinte Rama në pushtet biznesi klientelist dhe krimi i organizuar kanë marrë pjesë në sistemin politik por pa hyrë vetë në sistem, pa emëruar deputetë, pa e përdorur plotësisht potencialin për dhunë në funksion të sistemit politik. Kështu që sistemi nuk ishte një triadë ku krimi dhe biznesi kishin fuqinë që ka sot.

Berisha dhe Meta e njohin këtë sistem. Me një pjesë të triadës ata kanë punuar edhe vetë shumë pranë. Sot kur triada është në kulm të pushtetit të saj por edhe në krizë si pasojë e konsumimit të thellë të komponentes politike të saj (Ramës dhe PS-së) dhe si pasojë e shkatërrimit të plotë te ekonomisë, rendit public dhe e perspektivës ajo kërkon zgjidhje për të mbijetuar. Sot kur sistemi qeverisës i kësaj triade është në krizë të plotë si pasojë e varfërisë dhe shkatërrimit të treguesve buxhetorë por sidomos si pasojë e përballjes me prokurorinë, me SPAK-un ajo po kërkon zgjidhje. Presioni i lartë i amerikanëve përmes reformës në drejtësi, presioni i lartë i hetimeve të SPAK-ut që ka mbërritur tek ministrat më të rëndësishëm e ka bërë triadën të kërkojë me çdo kusht shpëtim. David Blair shkruante pak vite më parë kur në disa vende pushteti i liderëve autokratë po rrezikohej keq se shpëtimi i tyre është fuqizmimi, prodhimi, konstruktimi dhe mbrojta e opozitave të tyre të këqija. Kërcënimi me opozita të tilla thoshte David Blair, studiues britanik i politikës, është shpëtimi. Duhet të kesh përballë një opozitë që nuk është alternative. David Blair tha se SHBA-ja, vendet e tjera, BE-ja që në këtë kohë kërkonin rrëzimin e këtyre qeverive autokratike as në ëndrrat më të këqija nuk dëshironin, nuk përkrahnin opozitat që këto regjime i mbanin, i ndihmonin.

Është bash kjo arsyeja pse Rama ka një interes jetik në mbrojtjen, konstruktimin dhe fuqizimin e një opozite të Berishës dhe Metës. Rama i ka kundërshtarë të egër Berishën dhe Metën por ai ata nuk kërkon t’i zhdukë, kërkon vetëm t’i ketë përballë, t’i ketë për t’i mundur. Edhe Berisha me Metën e kanë kundërshtar të fortë Ramën por edhe ata e duan përballë jo për ta mundur sepse nuk mund ta bëjnë dot. Berisha dhe Meta në kushtet kur vijnë nga 32 vjet protagonizëm politik dhe marrëdhënie me dy degët e triadës, kur vijnë nga një pozicion izolimi ndërkombëtar as në ëndrrat me të mira nuk e mendojnë fitoren.

Ata e duan ti mbrojë dhe me këtë mbrojtje të krijojnë imunitet politik. Është pak a shumë si çështja e habitati natyror, për shembull e një pylli ku gjenden krijesa që sulmojnë njëra tjetrën, që janë armiq me njëri tjetrin por kanë interes jetik të mbrojnë habitatin. Rënia e habitatit i rrëzon të dyja palët, i zhduk te dyja palët.

Edhe me sistemin tonë politik kjo po ndodh. Sistemi politik i triadës krim i organizuar – biznes klientelist – parti politike në pushtet është në luftë për mbijetesë. SPAK-u, reforma në drejtësi, rrethanat e bredshme të një dështimi total, rrethanat e jashtme të presionit amerikan, nevoja dramatike për demokraci në vend dhe rajon është në rrezik. Kjo triadë e qeverisjes nuk rri dot më në këmbë pa triadën Rama, Berisha, Meta.

As në këtë mënyrë nuk mund të rrijë dot por përpjekjet për mbijetesë nuk ndalen kurrë. Pra triada e qeverisjes krim-biznes- PS e ç’ideologjizuar plotësisht nuk rri dot pa traidën Berisha, Rama, Meta.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • B-M-R: 18/04/2023 00:18

    Beju Mu.. Rama !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?