‘Triptiku’/ Gëzim Myshketa pas 10 vitesh në ‘Opera’ si ‘Gianni Schicchi’! Eva Golemi përlotet në rolin e ‘Suor Angelica-s’! 3 veprat e Puçinit ngrenë publikun në këmbë!

1 Mars, 17:28| Përditesimi: 1 Mars, 18:29

  • Share

Tri vepra në një trup të vetëm. Në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të kompozitorit, në Teatrin e Operës, Viti Puçian nis me “Triptikun”. “Il tabarro”, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schiçhi” propozohen me regjinë e Ada Gurras.

“Më ka ndihmuar shumë aspekti historik dhe personaliteti i Puçinit vet si krijues, sepse ai ka një veçori që përfshin shumë momente dhe elemente të jetës brenda në krijimtarinë e tij. Ashtu siç është dashuria që ai ka pasur për Danten dhe për këtë arsye ai ka përzgjedhur Gianni Schiçhin që vjen nga “Komedia Hyjnore”, pjesa e “Il tabarros” që flet shumë për xhelozinë bashkëshortore, të cilën ai e ka vuajtur për vite e vite me radhë me bashkëjetuesen e tij dhe “Suor Angelica” që lidhet me faktin se motra e tij jetonte në një manastir, dhe premiera e parë e kësaj vepre është dhënë pikërisht në manastir”, shprehet Ada Gurra, regjisorja e shfaqjes.

Perëndimi i diellit e barka e vjetër si tabloja që çel operën “Il Tabarro”, plotësohet në skenografi përmes fantazisë. Ndërsa dialogu i dy bashkëshortëve Michele dhe Giorgetta të çon në lumin Sena të Parisit. Një martesë në krizë që mbart dhimbjen e humbjes së një fëmije dhe në mes tradhtia, që Michele mendon ta shpaguajë me vrasje. “Suor Angelica” me Eva Golemin protagoniste të çon në një manastir të Sienës ku heroina prej shtatë vitesh qëndron e mbyllur për të shlyer një mëkat dashurie. Lutjet e saj shkojnë për fëmijën që i morën nga duart pas lindjes.

“Jam shumjë e lumtur që e performoj pas 15 vjetësh këtë rol, vjen shumë më ndryshe, në mënyrë shumë më dramatike, edhe prej faktit e të qenit nënë”, shprehet sopranoja Eva Golemi.

Vikena Kamenica, bëhet pikë lidhëse mes dy pjesëve. Nga personazhi i shpenguar i Fragolas  në pjesën e parë, tek “Suor Angelica” është në rolin e hallës së ngurtë, që kërkon nga Angelica të heqë dorë nga trashëgimia.

“Rolet janë kontrastues. I dyti në “Suor Angelica, edhe me më shumë emocione, sepse drama është edhe më e fortë”, shprehet mezzosopranoja Vikena Kamenica

Heroina mëson kështu lajmin për fëmijën e vdekur prej dy vitesh dhe mendon ribashkimin, ndoshta në botën e përtejme.

"Moment shumë prekës, dhe po është e vertetë, lotët e mi ishin real rrëfen më tej sopranoja Golemi. 

Pas dy pjesësh në skenë dhe dy pushimesh të gjata është radha e “Gianni Schiçihi”, rol të cilin Gëzim Myshketa e luan në Opera pas 10 vitesh. Mungesa e një testamenti nga Buoso Donati,  do të sjellë një lojë plot intriga për të zotëruar trashëgiminë e tij,  ku baritoni i njohur shqiptar sjell personazhin e ferrit dantesk, duke plotësuar çka Puçini kërkon nga teatri: befasinë, interpretimin, dhe humori tek publiku.

“Emocioni ishte shumë i madh, lum ata që duruan dhe panë të tre pjesët, se të treja ishin me artistë të jashtëzakonshëm”, shprehet artisti Gëzim Myshketa.


 Shfaqja, që përfshiu solistët, Orkestrën, korin dhe korin e zërave të bardhë të Teatrit , si dhe artistë të huaj do të vijojë deri në 3 mars. Për realizimin e saj Opera bashkëpunoi me Fondacionin Puçinian dhe Institutin Italian të Kulturës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?