Deputeti demokrat Asllan Dogjani ka kërkuar që Komisioni i Sigurisë të dënojë shpërthimin me tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Dogjani tha se ky ishte një mesazh shumë i rëndë për goditjen e drejtësisë.
I pranishëm në komision, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se hetimet po shkojnë mirë dhe se kësaj ngjarje duhet t’i shkohet deri në fund deri tek porositësit për të dhënë mesazhin se kushdo që guxon të kryejë një akt të tillë do përballet me ligjin.
Asllan Dogjani: Do ju lutesha shumë që ju si kryetar i komisionit të mbani drejtimin siç duhet. Sa herë e merr fjalën një koleg i opozitës i ndërhyni në çdo moment për ta prishur si komision që mos të ketë rregull dhe komunikim normal. Nuk e di se për çfarë e bën. Ti dëgjojë njëherë deri në fund, fjala është e lirë. Ne kemi luftuar për këtë ditë që të jemi të lirë të flasim. Në shtëpinë e një gjyqtari vendoset tritol duke terrorizuar jo vetëm familjen e gjyqtarit, por gjithë Shkodrën. Duke dhënë mesazh të rëndë në goditjen e sistemit të drejtësisë. Si Komision Sigurie nuk mund ta anashkalojmë pa e dënuar rastin e goditjes se gjyqtarit nga grupet kriminale apo kushdo qoftë, ne duhet ta dënojmë bashkërisht. Meqë kemi ministrin, duhet t’i kërkojmë të bëjnë të pamundur për ta zbardhur se ngjarje të tilla mund të bëhen shkak për ngjarje të tjera. Nëse zbulohen sa më shpejt është një masë e madhe parandaluese.
Taulant Balla: E nxis edhe unë që komisioni për sigurinë të bashkohet me dënimin e këtij akti prej burracakësh ndaj një magjistrati dhe po ashtu dua t’iu informoj si Komisioni Përgjegjës për mbulimin e veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë, se prej momentit të parë të marrjes së informacionit lidhur me këtë ngjarje është ngritur një grup pune jo vetëm për të hetuar. Mund të ndaj informacionin se hetimet po ecin mirë, ka një pistë e cila mund të na çojë në zbardhjen e gjithë organizmit dhe të ekzekutimit të kësaj ngjarje. E rëndësishme që këtij rasti t’i shkohet deri në fund, në mënyrë që kushdo që ti shkojë mendja të kryejë një akt tjetër ta ketë parasysh që forca e ligjit do të godasë.
Lajmi kryesor:
Tritoli në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Balla te ‘Siguria’: Akt burracak, hetimet po ecin mirë! Opozita: Policia ka dështuar, goditje ndaj drejtësisë
SI.E.//ReportTv.al