Triumfi i një ëndrre të ngjizur që në fëmijëri, Tefta Thaçi mposht paragjykimet: Gruan e shihnin si pastruese, ia dola të mbaj familjen si artizane

7 Shkurt, 21:16| Përditesimi: 8 Shkurt, 10:12

  • Share

Sa më shumë t’i largohesh qendrës së kryeqytetit, aq më i theksuar është mentaliteti patriarkal. Shpesh ky i fundit bëhet pengesë për shumë gra dhe vajza që të ndjekin ëndrrat e tyre. Edhe për Tefta Thaçin, 37 vjeçaren nga Bathorja, rrugëtimi si artizane nuk ka qenë i lehtë.

Pavarësia ekonomike e grave është e domosdoshme, por jo kushdo në atë zone e ‘përqafonte’ idenë se një grua mund të ishte e zonja të mbante familjen. Nëna e tre fëmijëve ia doli të mposhte paragjykimet dhe mentalitetin e zonës ku jetonte me punën si artizane.

“Kur u martova, atëherë ka qenë mentaliteti që gruaja nuk ka të drejtë të ketë një biznes apo të jetë një drejtuese në shtëpi, por thjesht të jetë një pastruese apo në shtëpi. Këmbëngulja ime ishte gjithmonë. Ka qenë një kohë shumë e vështirë kur vendosa që të eci me pasionin tim”, tregon Tefta në emisionin "Një nga ne" në Report Tv.

“Fillimet e mia ishin që 7 vjeç sepse mami qëndiste me gjilpërë. Në atë kohë bëheshin shqiponja në rrugica edhe vazhdimisht më thoshte që të qëndisja. Pasioni im ishte tek rruazat dhe tek pjesa e rrobaqepësisë.

Prisja perdet e shtëpisë për të bërë vellon e nuses për kukullën. Ka qenë shumë e bukur sepse aty kuptova pasionin tim. Kur u martova i thashë bashkëshortit për ëndrrën time”.

I biri vetëm 17 vjeç, sapo kthehet nga shkolla, shkon të ndihmojë të ëmën me porositë e ditës. Punimet me rruaza janë nga më të ndryshme duke filluar nga çantat, rrathët e flokëve, qypa dhe aksesorë të vegjël.

Tefta punon nga mëngjesi deri në darkë në oborrin e shtëpisë së saj pasi të mbijetosh në këtë treg pa fuqi punëtore është e vështirë. Megjithatë, të qënit e pavarur ekonomikisht e bën të ndihet e arrirë. Është e lumtur që me të ardhurat nga kjo punë, po shkollon fëmijët dhe po siguron jetesën.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?