Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney thotë se vendi i tij do të hyjë në bisedime për tregtinë dhe sigurinë me presidentin e SHBA, Donald Trump vetëm me kushtet e tyre, ndërsa theksoi edhe nevojën për respekt të ndërsjellë.
Në një intervistë për BBC në mbyllje të zgjedhjeve që i dhanë fitoren historike Partisë Liberale, Carney theksoi se do të vizitonte Uashingtonin vetëm kur të ketë një diskutim serioz që respekton sovranitetin e Kanadasë.
Zyra e kryeministrit konfirmoi se Carney dhe Trump kanë biseduar në telefon dhe janë dakorduar të takohen së shpejti. Në deklaratën për shtyp thuhej se “udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit si kombe të pavarura dhe sovrane”. Gjithashtu u tha se Trump e përgëzoi Carney-n për fitoren.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm muajt e fundit. Presidenti Trump ka përsëritur deklaratën e tij provokuese për ta bërë Kanadanë "shtetin e 51-të" të SHBA-së – një ide që, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, mbetet pjesë e vizionit të presidentit, pavarësisht zgjedhjeve.
Kryeministri kanadez e hodhi poshtë kategorikisht këtë skenar, duke e cilësuar si “diçka që nuk do të ndodhë kurrë”. “Nuk mendoj se një gjë e tillë do të ndodhë ndonjëherë me asnjë vend tjetër – qoftë Panamaja, Groenlanda apo kushdo tjetër,” deklaroi ai.
Tensionet tregtare dhe përplasjet me tarifat doganore
Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe SHBA-së janë përkeqësuar për shkak të luftës tregtare që ka shpërthyer pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. SHBA ka vendosur tarifa prej 25% ndaj mallrave kanadeze dhe ndaj të gjitha importeve të aluminit dhe çelikut, me përjashtim të atyre të mbuluara nga marrëveshja USMCA.
Si kundërpërgjigje, Kanadaja ka vendosur tarifa me vlerë 60 miliardë dollarë kanadezë ndaj mallrave amerikane. Deficiti tregtar i SHBA-së ndaj Kanadasë pritet të arrijë në 45 miliardë dollarë në vitin 2024, kryesisht për shkak të importeve të energjisë.
“Ka një partneritet për të ndërtuar – ekonomik dhe i sigurisë – por do të jetë shumë ndryshe nga e kaluara,” tha Carney, duke shtuar se bisedimet me Trump do të zhvilloheshin “sipas kushteve tona, jo sipas kushteve të tyre”.
Ai theksoi se përvoja e tij si ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe më pas i Bankës së Anglisë gjatë krizave financiare globale i jep një avantazh të fortë për të përballuar sfidat që sjell administrata Trump.
Aleanca me Evropën dhe Britaninë
Kryeministri Carney ka sinjalizuar gatishmëri për të forcuar lidhjet tregtare me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se ekziston hapësirë për të zgjeruar integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin në mbrojtje me "vendet me mendësi të ngjashme".
"Ne mund të zgjerojmë nivelin e integrimit midis vendeve tona, vendeve me të njëjtat mendime. Mendoni për partneritetet në mbrojtje dhe këto biseda sapo kanë filluar, kështu që ka shumë që mund të bëjmë", shtoi ai.
Megjithëse 95% e tregtisë mes Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar është aktualisht pa tarifa, Carney beson se një marrëveshje e re e tregtisë së lirë do të thellonte partneritetin dypalësh.
Kryeministri britanik Keir Starmer e përgëzoi Carney-n dhe theksoi angazhimin për bashkëpunim të ngushtë në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe investimeve.
Samiti i G7-ës në qendër të betejës tregtare
Carney theksoi se samiti i G7-ës, i cili do të mbahet në Kanada në qershor, do të jetë vendimtar për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të luftës tregtare globale. Samiti pritet të mbahet pak para përfundimit të një periudhe 90-ditore të pezullimit të tarifave të larta të vendosura nga Trump.
“Do të jetë një moment prove për grupin e shtatë ekonomive më të mëdha në botë. Do të shohim nëse G7 mbetet grupi i vendeve më të ngjashme për nga vlerat dhe vizioni.”, tha Carney.
Komente
