Triumfon në konkursin “Vasco Abadjiev” në Bullgari, violinistja: Krenare që përfaqësova Shqipërinë

16 Janar 2020, 15:37| Përditesimi: 16 Janar 2020, 16:06

  • Share

Ajo e konsideron veten qytetare të botës, ndonëse është vetëm në të 20-tat, por për të nuk ka asnjë vend të caktuar të cilin do ta zgjidhte të kalonte jetën, sepse së bashku me violinën e saj, Laura Llozi, e shikon veten kudo. E frymëzuar nga muzika e periudhës romantike, Laura, e cila prej dy vitesh studion në konservatorin e Vjenës për violinë, rikthehet në Shqipëri me një trofe, si fituese e çmimit të parë ndërkombëtar në garën për violinë nw konkursin “Vasco Abadjiev”në Sofja të Bullgarisë. Për “ReporTV” violinistja e rritur në një familje artistësh, ku e ëma Eva Golemi është soprano edhe i ati Arben Llozi instrumentist, rrëfen emocionet e këtij çmimi, ku doli e para mes 15 artistëve  të rinj nga vende të ndryshme të botës.

“Fillimisht kisha shumë emocione, sepse është konkursi i parë ndërkombëtar që marrë pjesë, por duhej filluar diku. Juria më priti shumë mirë, së bashku me njerëzit, që vinin edhe shikonin konkursin. Kur thanë emrin tim, nuk e prisja, thashë a e dëgjoja mirë?! Ishte përballja e parë me 15 shtete të ndryshme, kishte instrumentistë nga Italia dhe Gjermania etj”.
Përpos studimeve në Konservatorin e Vjenës, Laura vazhdon edhe një masterklas me Massimo Quarta-n, nxënësin e violinistit të njohur Salvatore Acardo-s.

“Në Tiranë nuk kam emrin tim tamam, se më quajnë vajza e mamit edhe babit, por atje tregova se nuk paskam kaq shumë nevojë për këtë që të eci vet. Është sfidë, por çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Massimo Quarta është nxënës i Salvatore Acardo-s, një nga violinistët më të mirë në botë, edhe puna me të për mua është një eksperiencë shumë e mirë, sepse më ndihmon që të zhvillohem akoma më shumë”, rrëfen Laura.

Ish-liceistja e “Jordan Misjas” kurrsesi nuk e mohon mbështetjen e familjes, në udhëtimin artistik, ndërsa, edhe pse suksesi më i madh për të janë vlerësimet që merr nga publiku.

“ Fillimisht më kanë thënë që e zgjodha vet violinën, por nuk e di, sepse jemi familje artistësh që gjithmonë kanë ditë ku të më drejtojnë edhe të ndjek gjërat, edhe kjo është shumë e favorshme. Mendoj se janë përherë vlerësimet që marrë nga publiku, që më motivojnë më shumë që të mos ndalë”, thotë violinistja.

Violinistja Laura Llozi gjatë verës që lamë pas ka qenë pjesë e gjashtë koncerteve ndërkombëtare, ndërsa, ëndrra e saj për këtë vit, është që të zhvillojnë një koncert recital në Tiranë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?