Sezoni 2026 mund të sjellë një nga lëvizjet më të bujshme në historinë moderne të Formula 1, kalimin e Max Verstappen te Mercedes. Tensionet e brendshme te Red Bull dhe rënia e performancës kanë shtyrë spekulimet rreth një ndarje të mundshme mes katër herë kampionit të botës dhe skuadrës që e ka shndërruar në ikonë.
Atmosfera në bazën e Red Bull në Milton Keynes është gjithçka përveçse stabile. Largimi i emrave të mëdhenj si Adrian Newey dhe Jonathan Wheatley, i shoqëruar me shkarkimin befasues të Christian Horner, ka shkaktuar një boshllëk drejtues që ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e ekipit.
Rezultatet në pistë flasin vetë. Red Bull është aktualisht i katërti në renditjen e Konstruktorëve me vetëm 172 pikë, shumë prapa McLarenit (460), Ferrarit dhe Mercedesit. Një rënie dramatike për ekipin që dikur dominonte me autoritet total.
Në mes të kaosit, Max Verstappen mbetet e vetmja pikë e ndritshme për Red Bull. Ai ka arritur të fitojë dy gara këtë sezon (Suzuka dhe Imola), megjithëse RB20 ka qenë larg më të mirës. Verstappen ndodhet vetëm i treti në renditjen e përgjithshme të pilotëve me 165 pikë, pas dyshes së McLarenit, Oscar Piastri (234) dhe Lando Norris (226). Këto rrethana e bëjnë gjithnjë e më të diskutueshme të ardhmen e holandezit.
Raportime të shumta sugjerojnë se drejtori i Mercedesit, Toto Wolff, i ka ofruar Verstappenit një rrugë të hapur drejt Brackleyt, duke e parë si pasardhësin e denjë të Lewis Hamilton, i cili kaloi te Ferrari në fillimin e sezonit 2025. Kalimi i Verstappen te Mercedes do të përbënte një aleancë të frikshme për rivalët, siç e ka pranuar edhe shefi i McLaren, Zak Brown.
“Mercedes po ngrihet, Red Bull është në krizë dhe Max është një talent absolut. Ky kombinim do të ishte i tmerrshëm për rivalët. Ai do të ishte një kërcënim real për të gjithë”, deklaroi Brown për ESPN.
Ndërkohë, analisti dhe ish-piloti Martin Brundle ka hedhur dyshime mbi rolin që ka pasur familja Verstappen në largimin e Christian Horner. Ai e cilëson lëvizjen si "shumë personale", duke sugjeruar se presioni nga Max dhe babai i tij, Jos Verstappen, ka ndikuar në këtë vendim.
“Lëvizja ndaj Horner mund ta bëjë më të lehtë që Max dhe Jos të qëndrojnë. Por duket se ishte më shumë një çështje personale sesa strategjike”, tha Brundle.
E ardhmja e Verstappen mbetet e paqartë, por një gjë është e sigurt; nëse ai bashkohet me Mercedesin në vitin 2026, Formula 1 mund të përjetojë një epokë të re dominimi. Dhe për Red Bull, rreziku është më i madh se kurrë, të humbasë jo vetëm një kampion, por edhe simbolin e një epoke të artë.
Komente
