Vetëm 6 nga subjektet që garuan më 11 maj, mundën të siguronin mandate në parlament. Por tashmë që Kuvendi i ri është konstituuar, rezulton që parti parlamentare të jenë 15. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së vënë në dispozicion të Report TV, koalicioni i Sali Berishës ka prodhuar 9 parti të tjera.
Disa prej tyre përfaqësojnë aleatët të cilëve Berisha u dha vende të listat e sigurta, ndërsa disa të tjerë kanë përdorur një truk me ndihmën e PD-së për të figuruar si parti parlamentare.
Kështu, përveç Partisë së Lirisë, Partisë Agrare Ambientaliste, Partisë Republikane, PDIU-së dhe PBDNJ-së që kishin kandidatët e tyre në listat e mbyllura e që fituan mandate, si parti parlamentare figurojnë edhe Partia Balli Kombëtar Demokrat, Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane dhe Fryma e Re Demokratike.
Për këtë, deputetët e PD-së, Besard Xhaferi, Denisa Vata, Greta Bardeli dhe Klevis Balliu janë deklaruar si kandidatë dhe tashmë si deputetë fitues të këtyre partive.
E gjithë kjo, bëhet që aleatët e vegjël të Berishës, ata të cilëve nuk u dha dot vende për të hyrë në parlament, të mund të fitojnë para publike nga fondet vjetore që jep shteti për partitë. Ligji përcakton se financimin e marrin partitë parlamentare.
Kjo është njëra formë se si po ndihmon Berisha partnerët e tij në opozitë. Disa prej atyre që janë në parlament, përmes sërish një truku, i ka ndihmuar të krijojnë grupe parlamentare, duke i dhënë deputetë hua Partisë së Lirisë dhe Partisë Republikane.
Kjo bën që të dy këto grupime të kenë zyra në Kuvend, staf ndihmues, si dhe të përfaqësohen në organet më të larta parlamentare më fuqishëm se sa të ishin deputetë të lirë.
Komente
