Donald Trump

Bota

Trump akuzon Obamën: Ka manipuluar informacionet për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016, të hetohet

22 Korrik, 19:37| Përditesimi: 22 Korrik, 19:40

  • Share

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Departamenti i Drejtësisë të hetojë ish-Presidentin Barack Obama, pas një raporti që aludon se zyrtarët e administratës Obama manipuluan informacionet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Deklaratat e Trump erdhën gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr.

Raporti i publikuar nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare (DNI), Tulsi Gabbard, përmban referime penale për Departamentin e Drejtësisë dhe pretendon se zyrtarët e administratës Obama ishin të përfshirë në një “konspiracion tradhtie.”

Në një pyetje lidhur me kë duhet të hetojë Departamenti i Drejtësisë, Trump tha se Obama është i pari që duhej të jetë në listë.

“Bazuar në atë që lexova, dhe unë kam lexuar shumë nga ajo që keni lexuar ju, do të ishte Presidenti Obama. Ai e filloi këtë,” tha Trump.

Ai përmendi gjithashtu disa figura të tjera kyçe të administratës Obama, si ish-zv/Presidenti Joe Biden, ish-drejtori i FBI-së James Comey, ish-drejtori i DNI-së James Clapper dhe ish-drejtori i CIA-s John Brennan, duke i cilësuar ata si pjesë të “bandës.”

“Lideri i bandës ishte Presidenti Obama, Barack Hussein Obama, a keni dëgjuar për të”, tha Trump, duke shtuar se ai ishte fajtor dhe se kjo ishte “tradhti” e nivelit të lartë.

Trump gjithashtu tha se Gabbard e kishte informuar se do të dalin mijëra dokumente të tjera që do të mbështesin akuzat ndaj Obamës.

Raporti gjithashtu përmend disa ish-zyrtarë të tjerë dhe mbështet pretendimet e Trump për një hetim të sajuar ndaj tij lidhur me ndikimin rus në zgjedhjet e 2016-ës.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?