Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të furnizonin me armë Ukrainën nëpërmjet NATO-s teksa nënvizoi se do të bënte edhe një "deklaratë të rëndësishme" mbi Rusinë të hënën (14 korrik) pa dhënë detaje të tjera.
"Ne po i dërgojmë armë NATO-s dhe NATO po paguan për këto armë, 100%. Pra, ajo që po bëjmë është se armët që po dalin jashtë po shkojnë në NATO dhe pastaj NATO do t'ia japë këto armë (Ukrainës)", tha Trump.
Për herë të parë që nga rikthimi në detyrë, Trump do të dërgojë armë në Kiev sipas një fuqie presidenciale të përdorur shpesh nga paraardhësi i tij, thanë të enjten dy burime të njohura me vendimin.
Ekipi i Trump do të identifikojë armët nga rezervat amerikane për t'i dërguar në Ukrainë sipas Autoritetit Presidencial të Tërheqjes së Armëve , i cili i lejon presidentit të tërheqë nga rezervat e armëve për të ndihmuar aleatët në rast emergjence, thanë burimet, ku njëri prej tyre tha se ato mund të vlejnë rreth 300 milionë dollarë.
Paketa mund të përfshijë raketa mbrojtëse Patriot dhe raketa sulmuese me rreze të mesme veprimi, por një vendim për pajisjet e sakta nuk është marrë ende, thanë burimet.
Administrata Trump deri më tani ka dërguar vetëm armë të autorizuara nga ish-Presidenti Joe Biden. Trump ishte zotuar ta përfundonte shpejt luftën, por pas disa muajsh në presidencën e tij, deri më tani nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim i madh.
Presidenti republikan ndonjëherë ka kritikuar shpenzimet e SHBA-së për mbrojtjen e Ukrainës, ka folur në mënyrë pozitive për Rusinë dhe është përplasur publikisht me udhëheqësin e Ukrainës. Megjithatë, ndonjëherë ai ka shprehur gjithashtu mbështetje për Kievin dhe zhgënjim ndaj udhëheqjes së Rusisë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Ndërkohë një ditë më parë në Romë, Itali u mbajt Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, që ka si qëllim mbështetjen për Ukrainën dhe rindërtimin e saj pas pasojave shkatërruese të luftës.
Gjatë fjalës së tij Zelensky u bëri thirrje aleatëve që të përdorin “më aktivisht” asetet ruse për rindërtim dhe bëri thirrje për armë, prodhim të përbashkët mbrojtës dhe investime.
Liderët e BE-së dhe G7 premtuan mbi 10 miliardë euro (12 miliardë dollarë) për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, ndërkohë Komisioni Evropian, ekzekutivi i BE-së, njoftoi 2.3 miliardë euro (2.7 miliardë dollarë) ndihmë.
Komente
