Bota

Trump dhe Putin mund të takohen në ditët në vijim! Kremlini: Ndoshta javën e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe

7 Gusht, 10:38| Përditesimi: 7 Gusht, 14:38

  • Share

Një takim ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump pritet të zhvillohet “në ditët në vijim”, me “propozim të palës amerikane”. Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari presidencial rus, Yuri Ushakov, i cituar nga agjencia Interfax.

“Me propozim të palës amerikane, është rënë në parim dakord për një takim bilateral të nivelit të lartë në ditët në vijim, pra për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump”, deklaroi Ushakov. “Tani, së bashku me kolegët amerikanë, kemi nisur përgatitjet konkrete”, shtoi ai.

Vendi ku do të zhvillohet takimi mes Vladimir Putin dhe Donald Trump është rënë dakord “në parim”, tha më tej Ushakov, duke sqaruar se “aktualisht, së bashku me kolegët tanë amerikanë, kemi nisur të përcaktojmë parametrat specifikë të këtij takimi”.

Pas deklaratave të Kremlinit, reagoi edhe Presidenti rus Vladimir Putin, që tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend potencial për të organizuar takimin me homologun e tij amerikan.

Pritshmëritë për një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Trump-it janë rritur pas vizitës së djeshme në Moskë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, vizitë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si me rezultate “më të mira sesa pritej”.

Raportime të mëparshme në mediat amerikane pohonin se administrata Trump po kërkonte të organizonte një takim me Putinin javën e ardhshme dhe kishte propozuar përfshirjen e Zelenskyt. Presidenti ukrainas ka deklaruar se i duhet një bisedë direkte me presidentin rus për të bërë përparim në bisedimet për paqe.

Witkoff vizitoi Moskën të mërkurën, për bisedime që më vonë Trump i cilësoi si “shumë produktive” me Putinin dhe zyrtarë të tjerë rusë. Në javët e mëparshme, presidenti amerikan kishte shprehur frustrim për mungesën e përparimit në negociatat e paqes mes Moskës dhe Kievit, dhe kishte kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë ndërkombëtarë.

Moska ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të preferonte një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të konfliktit, në mënyrë që të adresohen çështjet thelbësore të saj. Sipas zyrtarëve rusë, pengesat për paqen përfshijnë kërkesat jorealiste të Ukrainës dhe angazhimin e aleatëve evropianë të Kievit për të vijuar furnizimet me armë.

Zyrtarët në Kiev kanë lënë të kuptohet se kanë pranuar rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Rusinë në maj, për të mos u shfaqur si kundërshtarë të përpjekjeve të ndërmjetësimit të Trump-it. Ukraina po kërkon ndihmë ushtarake shtesë nga Perëndimi dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, duke pretenduar se kjo mund ta përmbysë situatën në fushën e betejës në favor të saj.

Nga ana tjetër, Rusia e ka akuzuar presidentin Zelensky se po ndjek një konflikt të armatosur “deri te ukrainasi i fundit”, për ambicie personale.

Ora 14:26
Putin reagon për takimin me Presidentin Trump, zbulon vendin ku mund të ndodhë

1754569868_vladimirputin.jpg

Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë pas njoftimit të Kremlinit se parimisht është rënë dakord për një takim mes tij dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas mediave ruse, Vladimir Putin ka treguar edhe vendin e mundshëm se ku mund të zhvillohet takimi mes dy presidentëve. Emiratet e Bashkuara Arabe është një opsion i mundshëm për të organizuar takimin me Donald Trump.

“Emiratet e Bashkuara Arabe mund të jenë një vend i përshtatshëm për një takim”, është shprehur Putin.

I pyetur se kush i inicioi planet për samitin, Putin tha se interesi ishte treguar “nga të dyja palët”.

Presidenti rus u pyet gjithashtu nëse është i gatshëm edhe për një takim me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të cilën dha këtë përgjigje: “Në përgjithësi, nuk kam asgjë kundër kësaj. Është e mundur. Por duhet të përmbushen kushte të caktuara”.

Takimi po diskutohet që të organizohet për javën e ardhshme, sipas Kremlinit.

Presidenti rus Vladimir Putin i bëri këto komente duke folur me gazetarët të enjten, pas bisedimeve të tij në Moskë me udhëheqësin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

 

K.M/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?