Beograd- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi mbrëmjen e 11 nëntorit se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Ai tha se ndihet “mirënjohës” ndaj Trump që ai “menjëherë dinte shumë gjëra për Serbinë”.
Ai theksoi se beson në një “partneritet më të fortë me SHBA-në nën udhëheqjen e tij dhe shprehu dëshirën që presidenti i ri amerikan të vizitojë Serbinë"
"I jam mirënjohës Presidentit Trump që di shumë gjëra për Serbinë. Nuk do ta besoni, madje ai foli edhe për sukseset sportive të vendit tonë. Shfrytëzova rastin për të shprehur dëshirën dhe shpresën time, për të përmirësuar më tej marrëdhëniet tona në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe se ai do të vizitojë Serbinë sepse Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e Presidentit Trump ishte më e larta në të gjithë Evropën”, tha Vuçiç në një video të postuar në profilin e Instagramit.
Ai theksoi se Trumpi e falënderoi për “mbështetjen e madhe” që ka marrë nga “qytetarët e Serbisë, nga populli serb, dhe besoj se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësi të flasim për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, në të gjitha fushat”.
“Jam i sigurt që, me mbështetjen e miqve tanë, dhe me miq nënkuptoj të gjithë rrethin e presidentit Trump, të cilët ishin gjithashtu me të gjatë bisedës sonte, do të kemi mundësi të bëjmë, Amerikën të madhe, dhe ne Serbinë një vend të denjë, që mund të bashkëpunojë shumë mirë me Shtetet e Bashkuara”, tha Vuçiç.
Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës "jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë".
Grenell ishte aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.
Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.
Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Gjithashtu, gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.
Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë - si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre - por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Por, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me kryeministrin Albin Kurtin ishin të tensionuara.
Kurti, kur mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, përplasej shpesh me Grenellin, i cili e kritikoi publikisht, duke e cilësuar Kurtin si “antiamerikan” dhe duke e akuzuar se i kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.
Tensionet kulmuan në marsin e 2020-tës kur Qeveria e Kurtit u rrëzua nëpërmjet një mocioni mosbesimi, për të cilin Kurti pretendoi se ishte orkestruar me mbështetjen e Grenellit.