Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Bota

Trump do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Hagë, i pranishëm do të jetë edhe presidenti Zelensky

3 Qershor, 22:03| Përditesimi: 3 Qershor, 22:06

  • Share

Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Hagë gjatë qershorit, ku kërkesat e tij për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje pritet të dominojnë axhendën, njoftoi të martën Shtëpia e Bardhë.

Trumpi ka kritikuar prej kohësh partnerët e NATO-s që, sipas tij, nuk po kontribuojnë sa duhet financiarisht, dhe deri tani nuk kishte konfirmuar nëse do të merrte pjesë në këtë takim – i cili do të jetë i pari me aleancën transatlantike që nga rikthimi i tij në pushtet.

“Po, mund të konfirmoj se ai do të shkojë në samitin e NATO-s,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference për shtyp, kur u pyet nga AFP nëse Trump do të merrte pjesë.

Në axhendë do të jetë edhe lufta e Ukrainës me Rusinë, me presidentin Volodymyr Zelensky që konfirmoi të martën se vendi i tij është i ftuar. Zelensky dhe Trump kanë pasur një përplasje të fortë në Zyrën Ovale në shkurt. Trump, gjatë mandatit të tij të parë, kishte kërcënuar me tërheqjen e plotë nga NATO, dhe që atëherë ka kërcënuar se do të mbrojë vetëm ato vende aleate që, sipas tij, shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje.

Administrata e tij ka përmendur gjithashtu mundësinë e zhvendosjes së forcave ushtarake nga Evropa për t'u fokusuar në kërcënimet diku tjetër, si Kina – duke shkaktuar tensione me aleatë si Kanadaja dhe Danimarka, të cilëve u ka bërë kërcënime për territoret e tyre.

Kërkesa kryesore e Trump është që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara po mbajnë pjesën më të madhe të barrës së mbrojtjes së tyre. Asnjë nga 32 vendet anëtare të NATO-s – përfshirë SHBA-të – aktualisht nuk e arrin këtë nivel.

Për ta kënaqur atë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, ka propozuar një kompromis që parashikon 3.5% të PBB-së për shpenzime të drejtpërdrejta për mbrojtje deri në vitin 2032, dhe 1.5% shtesë për shpenzime të përgjithshme të lidhura me sigurinë.

Një marrëveshje e tillë do t'i mundësonte Trumpit të paraqesë një fitore politike, duke arritur shifrën që kërkon, edhe nëse jo të gjitha shpenzimet janë fonde të reja.

Plani i kompromisit i Ruttes mori mbështetjen e fuqive kryesore si Gjermania dhe Franca në maj, duke rritur shanset që ai të miratohet.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?