BE ka shprehur keqardhje për planin surprizë të Donald Trump për të dyfishuar tarifat doganore mbi çelikun dhe aluminin, një veprim që rrezikon t’i çojë bisedimet dypalëshe tregtare në kaos, raporton BBC. KE tha se veprimi i fundit i Trump mbi tarifat minon përpjekjet për të arritur një marrëveshje, ndërsa paralajmëroi edhe kundërmasa.
“Na vjen shumë keq për rritjen e njoftuar të tarifave të SHBA-së për importet e çelikut nga 25% në 50%. Ky vendim shton më tej pasiguri në ekonominë globale dhe rrit kostot për konsumatorët dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut. Rritja e tarifave gjithashtu dëmton përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një zgjidhje të negociuar. Me mirëbesim, BE-ja ndërpreu kundërmasat e saj më 14 prill për të krijuar hapësirë për negociata të vazhdueshme”, tha KE në një deklaratë për BBC, duke paralajmëruar se blloku “është i përgatitur të vendosë kundërmasa”.
Trump njoftoi më herët se tarifat doganore për importet e çelikut dhe aluminit do të dyfishohen në 50%, duke filluar nga e mërkura. Sipas presidentit amerikan, ky veprim do të ndihmonte në nxitjen e industrisë lokale të çelikut dhe furnizimit kombëtar.
Njoftimi ishte kthesa e fundit në qasjen dramatike të Trump ndaj tarifave doganore, që nga rikthimi në detyrë në janar. Njoftimi erdhi gjithashtu në mes të një beteje ligjore mbi ligjshmërinë e disa prej tarifave doganore.
Gjykata e Apelit rivendosi përkohësisht tarifat doganore, një ditë pasi gjykata tregtare amerikane deklaroi se Trump kishte tejkaluar autoritetin e tij në vendosjen e detyrimeve dhe urdhëroi bllokimin e menjëhershëm të tyre.
Paneli prej tre gjyqtarësh i gjykatës tregtare vendosi të mërkurën se Kushtetuta i jepte Kongresit, jo presidentit, fuqinë për të vendosur taksa dhe tarifa, dhe se presidenti kishte tejkaluar autoritetin e tij duke thirrur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës, një ligj që synonte të adresonte kërcënimet gjatë emergjencave kombëtare.
Presidenti amerikan e cilësoi vendimin e së mërkurës nga gjykata e tregtisë si politik dhe të tmerrshëm.
Komente
