Foto nga ndërtesa të shkatërruara në Gaza

Bota

Trump: Ekziston një shans i vërtetë për paqe në Gaza, por Hamasi dëshiron tërheqjen e plotë të Izraelit

8 Tetor, 07:06| Përditesimi: 8 Tetor, 07:17

  • Share

Në ditën më të trishtë që kujton ditën më të zezë, Benjamin Netanyahu arrin të harrojë numrin e pengjeve që mbahen ende në Gaza. Fillimisht thotë 40, pastaj e korrigjon në 46, por gjithsesi gabim: janë 48, më shumë se gjysma e të cilëve të vdekur. Dy vjet pas masakrave të 7 tetorit, kryeministri izraelit ka zgjedhur të japë një intervistë në një kamp miqësor komentatorit ultrakonservator Ben Shapiro. Me një amerikan që mendon si ai, Netanyahu mund të shmangë tragjedinë e vitit 2023, për të cilën nuk ka marrë kurrë përgjegjësi, dhe të përqendrohet te marrëdhënia me Donald Trump, te kërcënimet iraniane ndaj Shteteve të Bashkuara, e te mënyra se si në këto 24 muaj Izraeli ka ndryshuar Lindjen e Mesme.

Ai vijon punën për të rishkruar historinë — diçka që do t’i shërbejë në fushatën zgjedhore: qeveria e tij e ekstremit të djathtë madje do të ketë paraqitur një peticion që data 7 tetor të mos mund të shënohet si ditë përkujtimore në kalendarët digjitalë. E megjithatë ajo ndodhi: 1.200 izraelitë dhe të huaj të vrarë në agim në shtëpitë e tyre nga terroristët e Hamasit, lufta e përhershme në Rripin e Gazës ku palestinezët e vrarë janë mbi 67 mijë. Edhe tani, ndërsa të dërguarit e tij ndodhen në Sharm el-Sheikh, në bregun e Detit të Kuq, për të negociuar mënyrën e ndalimit të këtyre 732 ditëve konflikti, Bibi i thotë Shapiros “se lufta është afër fundit, por jo domosdoshmërisht”.

Ndërmjetësit arabë — egjiptianë dhe nga Katari — frikësohen nga hezitimi i tij për të pranuar një armëpushim të përhershëm, i kundërshtuar nga ministrat fanatikë e mesianë të koalicionit të tij. Netanyahu është i vetëdijshëm megjithatë se duhet ta kënaqë mikun e tij Donald Trump, i cili pret një kthesë të shpejtë në negociata; dje ai falënderoi familjarët e pengjeve ende të burgosur për faktin që e kanë propozuar për Çmimin Nobel për Paqen dhe i siguroi: “Jam i vendosur t’i sjell në shtëpi.”

Që nga sot në takimet në Egjipt marrin pjesë dhëndri Jared Kushner dhe Steve Witkoff, i dërguari i presidentit. Janë ata që duhet të shtyjnë Hamasin dhe izraelitët të zbatojnë planin me 20 pika të paraqitur nga Shtëpia e Bardhë. “Zbatimi” është fjala kyçe — siç vëren zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit: “Për shumë detaje ende duhet gjetur një marrëveshje dhe palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të realizojnë të gjitha elementet e saj.” Trump përsërit: “Ka një mundësi reale për paqe në Gaza.” Burime egjiptiane shpresojnë se pjesa e parë e marrëveshjes mund të finalizohet deri të premten.

Udhëheqësit e Hamasit e kanë përkujtuar 7 tetorin me hedhjen e një rakete në jug të Izraelit dhe me fjalët e Fawzi Barhoum, një prej drejtuesve të lëvizjes: “Sulmet ishin një përgjigje historike ndaj përpjekjeve për të çrrënjosur çështjen palestineze.” Fundamentalistët mohojnë — siç raportohet nga televizioni Sky News Arabia — se janë të gatshëm të çarmatosen. Ajo që dihet me siguri është se nuk e duan Tony Blair, ish-kryeministrin britanik dhe ish-emisarin e Katërshes për Lindjen e Mesme, në krye të qeverisë teknike që do të duhet të administrojë rindërtimin e 363 kilometrave katrorë të shkatërruar nga bombardimet.

Ata përsërisin kërkesën për tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite përpara lirimit të pengjeve të fundit dhe garancinë që operacionet ushtarake nuk do të rifillojnë. Nuk është kjo sekuenca e parashikuar nga plani Trump (që parashikon lirimin e pengjeve brenda 72 orëve nga marrëveshja), ndërsa në hartën e publikuar nga Netanyahu trupat do të ruanin, të paktën në fazën e parë, kontrollin mbi 70 për qind të Rripit. Delegacioni i Hamasit do të ketë paraqitur gjithashtu listën e të burgosurve për t’u liruar — mes tyre Marwan Barghouti dhe Ahmad Saadat, dy nga drejtuesit më të rëndësishëm të intifadës së dytë, të dënuar me burgime të përjetshme ose dënime shumëvjeçare. Barghouti konsiderohet nga palestinezët simbol i rezistencës dhe diplomatët ndërkombëtarë, përfshirë disa politikanë izraelitë, janë të bindur se ai mund të jetë pasuesi i presidentit Abu Mazen./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mbrojtja për kreun e SPAK zgjatet deri në 3 vite pas mbylljes së mandatit, si ju duket?