Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndryshon ligjin zgjedhor në vend.
Sipas rregullave të reja, qytetarët do të jenë të detyruar të tregojnë prova shtetësie, si pasaportën, kur votojnë. Po ashtu, votat që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve nuk do të numërohen më.
Trump ka vënë në pikëpyetje prej kohësh sistemin zgjedhor të SHBA dhe vazhdon të pretendojë në se humbja e tij në vitin 2020 ndaj presidentit demokrat Joe Biden ishte rezultat i mashtrimit të gjerë. Presidenti dhe aleatët e tij republikanë gjithashtu kanë bërë pretendime të pabaza për votim të gjerë nga joqytetarë, gjë që është e paligjshme dhe rrallë ndodh.
“Duhet të rregullojmë zgjedhjet tona”, tha Trump të martën ndërsa nënshkroi urdhrin në Shtëpinë e Bardhë.
"Ky vend është kaq i sëmurë për shkak të zgjedhjeve të rreme dhe zgjedhjeve të këqija, ne do ta rregullojmë këtë në një mënyrë ose në tjetrën", shtoi ai.
Ekspertët paralajmërojnë se këto ndryshime mund të bëjnë të vështirë për miliona amerikanë që të votojnë. Statistikat tregojnë se rreth 146 milionë amerikanë nuk kanë pasaportë, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë dokumente që dëshmojnë shtetësinë.
Sipas ligjit amerikan, sekretari amerikan i shtetit mund të anulojë në mënyrë të njëanshme pasaportat nëse konstaton se ato janë "marrë në mënyrë të paligjshme, me mashtrim ose gabim" ose janë krijuar përmes paligjshmërisë ose mashtrimit.
Shtëpia e Bardhë argumentoi gjithashtu se urdhri i Trump do të parandalonte shtetasit e huaj që të ndërhynin në zgjedhjet amerikane. Sipas direktivës së re, votuesve do t'u bëhet për herë të parë një pyetje për shtetësinë në formularin federal të votimit.
"Fondet federale të lidhura me zgjedhjet do të kushtëzohen nga shtetet që do të respektojnë masat e integritetit të përcaktuara nga ligji federal, duke përfshirë kërkesën që shtetet të përdorin formularin kombëtar të regjistrimit të votuesve me postë që tani do të kërkojë prova të shtetësisë," thuhej dokument të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me urdhrin.
Komente
