Interpretimi më dashamirës është se Trump ende nuk i ka kuptuar qëllimet reale të Putinit, prandaj lejon të mashtrohet. Ai më ciniku është se po përgatitet të flijojë Ukrainën në altarin e marrëveshjeve që synon të përfundojë në Rusi, pasi të ketë ndërtuar një alibi që t’i mundësojë të fajësojë Zelenskyn, për të justifikuar para mbështetësve të vet dështimin e premtimit elektoral për të mbyllur luftën brenda 24 orëve nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë. Cilido që të jetë vlerësimi i saktë mes këtyre dy hipotezave, një ditë pas telefonatës me kreun e Kremlinit është e vështirë të gjesh analistë amerikanë që nuk e gjykojnë këtë si një dorëzim ndaj Moskës.
Interpretimin e vërtetë e dha vetë presidenti, duke folur me gazetarët të hënën në mbrëmje: “Janë përfshirë ego të mëdha. Por mendoj se diçka do të ndodhë. Nëse nuk ndodh, do të tërhiqem dhe ata do të duhet të vazhdojnë”, domethënë të negociojnë drejtpërdrejt rusët dhe ukrainasit, ose të vazhdojnë të luftojnë. Më pas shtoi: “Kjo ishte një çështje evropiane. Duhej të mbetej një çështje evropiane”. Pra, i takon Kontinentit të Vjetër, nëse vërtet dëshiron, të vazhdojë mbështetjen për Kievin. Ai ka një “vijë të kuqe” që do të sillte vendime përfundimtare, por nuk deshi ta zbulojë, për “të mos kompromentuar negociatat”.
Duke folur dje para Komisionit të Jashtëm të Senatit, sekretari i Shtetit Rubio, ish-shqiponja anti-ruse i kthyer në përkrahës të butë të linjës së Trump-it, u mbrojt kështu nga ish-kolegët që e akuzonin se po drejton tërheqjen e SHBA-ve nga bota: “Nuk është hequr asnjë sanksion kundër rusëve. Çdo masë e vetme në fuqi gjatë administratës së mëparshme mbetet. Prandaj, kjo ide se kemi hequr dorë nga leva financiare nuk është e vërtetë. Sot kemi të njëjtën levë financiare që kishim nën administratën e mëparshme”. Problemi është pikërisht ky dhe nuk mund t’i shpëtojë Rubio-s, përtej mbrojtjes zyrtare të qeverisë ku bën pjesë.
Administrata e mëparshme ishte në anën e Ukrainës dhe siguronte armët për të vazhduar luftën, derisa Putini të pranonte një zgjidhje diplomatike të ndershme; ajo aktualja ka përdorur çdo mjet për të ushtruar presion mbi Zelenskyn që të pranojë paqen. Tani që udhëheqësi i Kremlinit është bërë qartazi pengesa, duke refuzuar armëpushimin e kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, Uashingtoni duhet të pranojë faktin se masat e marra deri tani nuk mjaftojnë dhe për këtë arsye duhet t’i forcojë. Të qëndrosh në vend do të thotë dorëzim, përballë refuzimit të Putinit ndaj Trump-it, pavarësisht shumë lëshimeve të dhëna që përpara se të nisnin negociatat. Sepse Zelensky, siç vëren Wall Street Journal, “ka pranuar të gjitha kërkesat e presidentit, pa marrë asgjë në këmbim. Kremlini në vend të kësaj i ka refuzuar, por ka marrë atë që donte”. Duke filluar nga heqja dorë e SHBA-ve nga armëpushimi, duke u kënaqur me një premtim për hartimin e një memorandumi me kërkesat maksimaliste të Moskës për të reduktuar Ukrainën në një vasal, për ta përdorur më pas si bazë të nisjes së negociatave.
Putini, sipas New York Times, sillet kështu sepse mendon se po fiton. Përparon rreth tre milje në ditë në terren dhe rënia e çmimit të naftës është stabilizuar në 65 dollarë për fuçi, duke i mundësuar vazhdimin e financimit të luftës, përveç nëse Trump vendos sanksionet dytësore që ka kërcënuar, por që vetë i quajti dje “një ide e keqe”, ose nëse G7-ta kanadeze e muajit të ardhshëm e ul kufirin e çmimit të naftës që mund të blihet nga Rusia në 30 dollarë.
Në teori, Kongresi amerikan mund të veprojë me nismë të vetën, duke miratuar ligjin e shkruar nga senatori republikan Graham, për të vendosur tarifa prej 500% ndaj vendeve që blejnë energji nga Moska. Leva tjetër do të ishte dëshira e Putinit për të normalizuar marrëdhëniet dhe për t’u çliruar nga sanksionet. Ai shpreson që Donald ta bëjë këtë, pa e shpëtuar Ukrainën, sepse është joshur nga pasuritë e Rusisë; mbrojtësit e Kievit shpresojnë që të paktën të mos bëjë këtë lëshim, në mënyrë që të nxisë Kremlinin të negociojë, me në sfond vendosmërinë e vendeve evropiane për të vazhduar ndihmat. Një levë e dobët, përballë ambicieve të Putinit./La Repubblica
Komente
