Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Bota

Trump i hap rrugën Zelenskyt: Gati të heq veton për raketat me rreze të gjatë veprimi! Presidenti ukrainas kërkon Tomahawk, arrijnë deri në 2.500 km

27 Shtator, 08:42| Përditesimi: 27 Shtator, 13:29

  • Share

Zelensky ia kishte kërkuar më kot presidentit Biden, i cili i kishte mohuar nga frika e një hakmarrjeje bërthamore nga Kremlini. Dhe tani rikthehet me ngulm tek Trump, i cili prej tre ditësh duket se shpreson për fitoren e Kievit ndaj Moskës. Po flasim për raketat Tomahawk, një nga armët më të fuqishme të arsenalit amerikan: me to, ukrainasit mund të shkatërrojnë fabrikat përtej Uraleve dhe të përballin epërsinë industriale ruse. Por edhe të kërcënojnë kryeqytetin dhe kështu – sipas tyre – të detyrojnë Putinin të negociojë paqen.

Biseda mes dy presidentëve është zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Zelensky ka zbuluar se i ka kërkuar "armë me rreze të gjatë". Dhe ka saktësuar: "Na duhen, por kjo nuk do të thotë që do t’i përdorim. Është një presion i mëtejshëm mbi Putinin që të ulet në tryezë". Burime amerikane kanë shpjeguar se bëhet fjalë për Tomahawk dhe se Trump ka premtuar "të punojë për këtë". Mbrëmë një funksionar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë Wall Street Journal se presidenti ishte "gati të heqë veton mbi armët me rreze të gjatë".

Prej dy vitesh Kievi përpiqet të sigurojë një mjet frenues që ta shtyjë Kremlinin të ndalojë sulmet me raketa ndaj qyteteve dhe industrive. Dronët me të cilët pothuajse çdo natë sulmojnë uzinat ruse, duke i goditur edhe 1.300 km larg kufirit, mund të transportojnë sasi të kufizuara eksplozivi dhe prandaj shkaktojnë dëme të reduktuara. Kompanitë kombëtare kanë prodhuar dy raketa lundrimi: Neptune dhe Flamingo, që kanë hyrë në veprim prej pak muajsh, por deri tani kanë arritur objektiva në një distancë rreth 500 km.

Tomahawk, përkundrazi, janë prej 35 vitesh “dora e gjatë” e kundërsulmeve amerikane: nga Iraku te Serbia, nga Afganistani te Siria. Kanë një rreze veprimi që mund të arrijë deri në 2.500 kilometra dhe mbartin 450 kilogramë eksploziv plastik. Janë projektuar në vitet tetëdhjetë për të kryer sulme bërthamore, por prej njëzet vitesh të gjitha koka atomike janë tërhequr. Është e qartë se dërgimi i tyre do të shënonte një tjetër përshkallëzim të konfliktit, duke e ekspozuar Moskën dhe gjithë Rusinë ndaj inkursioneve shumë më shkatërrimtare se ato të realizuara deri më tani nga dronët e Kievit. Që megjithatë po shkaktojnë pasoja të ndjeshme.

Që nga fundi i korrikut, shërbimet sekrete ukrainase kanë përqendruar sulmet ndaj objektivave më të ndjeshme: rafineritë e naftës. Pavarësisht sasisë së kufizuar të eksplozivit, godasin me saktësi impiantet për prodhimin e naftës dhe benzinës. Dje ishte radha e Afipsky në Krasnodar Krai, e bombarduar dhe riparuar dy herë. Në total janë goditur 17 rafineri, si edhe tubacione dhe stacione pompimi: llogaritet se një e pesta e prodhimit është bllokuar. Një situatë që redukton eksportet, burimin kryesor të financimit të Rusisë. Dhe që rëndon sidomos mbi jetën e popullatës: në rrjetet sociale po shfaqen gjithnjë e më shpesh foto të stacioneve të karburantit që kanë mbetur bosh. Një mungesë që ka filluar të ndihet edhe në kryeqytet dhe në Shën Petersburg./La Repubblica

Ora 12:24
Moska: Histeria e BE-së për dronët synon të justifikojë shpenzimet ushtarake

Rusia ka kritikuar ashpër planet e Bashkimit Evropian për të forcuar mbrojtjen ndaj dronëve, duke deklaruar se reagimi i Brukselit ndaj shkeljeve të kufijve nga mjete ajrore të paidentifikuara nuk bën gjë tjetër veçse rrit tensionet.

Është e qartë se histeria e BE-së për hyrjen e dronëve në territorin e saj dhe shpallja e projekteve të mbrojtjes me emra pompozë ndjek një qëllim të vetëm: t’i justifikojë opinionit publik rritjen e shpenzimeve për militarizimin e Evropës, në dëm të projekteve socio-ekonomike dhe uljes së nivelit të jetesës së popullsisë”, deklaroi për Ria Novosti Vladislav Maslennikov, drejtor i departamentit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme ruse.

Dje, ministrat e Mbrojtjes të rreth 10 vendeve të BE-së ranë dakord ta bëjnë të ashtuquajturin “mur dronësh” një përparësi për Unionin, pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore në disa shtete anëtare gjatë javëve të fundit.

Zyrtari rus paralajmëroi se këto masa do të çojnë në rritjen e tensioneve ushtarake dhe politike në kontinentin tonë. Ai shtoi se planet në fjalë i shërbejnë “ambicieve personale dhe lojërave politike të elitave në pushtet në BE”.

Maslennikov vuri në dukje gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk e ka të qartë as gjatësinë e ‘murit’ e as përfshirjen e Hungarisë dhe Sllovakisë në projekt, duke nënkuptuar kështu një mungesë të kuptueshmërisë për kostot reale financiare që kërkon kjo nismë.

 

 

Ora 12:11
Danimarkë, vijojnë sulmet hibride, dronë mbi bazën më të madhe ushtarake

Dronë të paidentifikuar janë vërejtur në qiellin mbi bazën më të madhe ushtarake të Danimarkës. Ngjarjen e ka njoftuar policia daneze, në episodin më të fundit të një serie incidentesh që autoritetet i klasifikojnë si pjesë e asaj që e quajnë një “sulm hibrid”.

“Mund të konfirmoj se kemi pasur një incident rreth orës 20:15, i cili zgjati për disa orë. Një ose dy dronë janë vëzhguar jashtë dhe mbi bazën ajrore”, tha për AFP agjenti Simon Skelsjaer, duke iu referuar bazës ushtarake të Karupit.

Skelsjaer deklaroi se policia nuk mund të komentojë mbi origjinën e dronëve, duke theksuar gjithashtu se ata nuk janë rrëzuar.

Ora 12:07
Kievi: Dronë hungarezë në hapësirën tonë ajrore, Budapesti mohon

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se dronë zbulues, që sipas tij ka gjasa t’i përkasin Hungarisë, kanë shkelur hapësirën ajrore të Ukrainës përgjatë kufirit. Ky është incidenti i parë i këtij lloji që raportohet.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, Zelensky tha se forcat ukrainase kanë regjistruar inkursione të dronëve në zonat kufitare dhe se vlerësimet paraprake sugjerojnë se mjetet ajrore pa pilot po “kryenin zbulim mbi potencialin industrial të rajoneve kufitare të Ukrainës”.

“Kam dhënë urdhër që të verifikohen të gjitha informacionet e disponueshme dhe që të hartohen raporte urgjente për çdo incident të regjistruar”, deklaroi Zelensky.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i hodhi poshtë pretendimet e Zelenskyt, duke shkruar në X se: “Presidenti Zelensky po humbet toruan për shkak të fiksimit të tij anti-hungarez. Tani ka filluar të shohë gjëra që nuk ekzistojnë”.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, iu përgjigj:
“Po fillojmë të shohim shumë gjëra, Peter — përfshirë hipokrizinë dhe degradimin moral të qeverisë tënde, punën e saj të hapur dhe të fshehtë kundër Ukrainës dhe pjesës tjetër të Evropës, si dhe rolin e saj si shërbëtor i Kremlinit.”

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lali: 27/09/2025 10:15

    Trump po e denon me crrenjosje Ukrainen sepse nese do te godasin thellee ne Rusi atehere pergjigja do jete fatale

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?