Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Bota

Trump i hap rrugën Zelenskyt: Gati të heq veton për raketat me rreze të gjatë veprimi! Presidenti ukrainas kërkon Tomahawk, arrijnë deri në 2.500 km

27 Shtator, 08:42| Përditesimi: 27 Shtator, 09:14

  • Share

Zelensky ia kishte kërkuar më kot presidentit Biden, i cili i kishte mohuar nga frika e një hakmarrjeje bërthamore nga Kremlini. Dhe tani rikthehet me ngulm tek Trump, i cili prej tre ditësh duket se shpreson për fitoren e Kievit ndaj Moskës. Po flasim për raketat Tomahawk, një nga armët më të fuqishme të arsenalit amerikan: me to, ukrainasit mund të shkatërrojnë fabrikat përtej Uraleve dhe të përballin epërsinë industriale ruse. Por edhe të kërcënojnë kryeqytetin dhe kështu – sipas tyre – të detyrojnë Putinin të negociojë paqen.

Biseda mes dy presidentëve është zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Zelensky ka zbuluar se i ka kërkuar "armë me rreze të gjatë". Dhe ka saktësuar: "Na duhen, por kjo nuk do të thotë që do t’i përdorim. Është një presion i mëtejshëm mbi Putinin që të ulet në tryezë". Burime amerikane kanë shpjeguar se bëhet fjalë për Tomahawk dhe se Trump ka premtuar "të punojë për këtë". Mbrëmë një funksionar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë Wall Street Journal se presidenti ishte "gati të heqë veton mbi armët me rreze të gjatë".

Prej dy vitesh Kievi përpiqet të sigurojë një mjet frenues që ta shtyjë Kremlinin të ndalojë sulmet me raketa ndaj qyteteve dhe industrive. Dronët me të cilët pothuajse çdo natë sulmojnë uzinat ruse, duke i goditur edhe 1.300 km larg kufirit, mund të transportojnë sasi të kufizuara eksplozivi dhe prandaj shkaktojnë dëme të reduktuara. Kompanitë kombëtare kanë prodhuar dy raketa lundrimi: Neptune dhe Flamingo, që kanë hyrë në veprim prej pak muajsh, por deri tani kanë arritur objektiva në një distancë rreth 500 km.

Tomahawk, përkundrazi, janë prej 35 vitesh “dora e gjatë” e kundërsulmeve amerikane: nga Iraku te Serbia, nga Afganistani te Siria. Kanë një rreze veprimi që mund të arrijë deri në 2.500 kilometra dhe mbartin 450 kilogramë eksploziv plastik. Janë projektuar në vitet tetëdhjetë për të kryer sulme bërthamore, por prej njëzet vitesh të gjitha koka atomike janë tërhequr. Është e qartë se dërgimi i tyre do të shënonte një tjetër përshkallëzim të konfliktit, duke e ekspozuar Moskën dhe gjithë Rusinë ndaj inkursioneve shumë më shkatërrimtare se ato të realizuara deri më tani nga dronët e Kievit. Që megjithatë po shkaktojnë pasoja të ndjeshme.

Që nga fundi i korrikut, shërbimet sekrete ukrainase kanë përqendruar sulmet ndaj objektivave më të ndjeshme: rafineritë e naftës. Pavarësisht sasisë së kufizuar të eksplozivit, godasin me saktësi impiantet për prodhimin e naftës dhe benzinës. Dje ishte radha e Afipsky në Krasnodar Krai, e bombarduar dhe riparuar dy herë. Në total janë goditur 17 rafineri, si edhe tubacione dhe stacione pompimi: llogaritet se një e pesta e prodhimit është bllokuar. Një situatë që redukton eksportet, burimin kryesor të financimit të Rusisë. Dhe që rëndon sidomos mbi jetën e popullatës: në rrjetet sociale po shfaqen gjithnjë e më shpesh foto të stacioneve të karburantit që kanë mbetur bosh. Një mungesë që ka filluar të ndihet edhe në kryeqytet dhe në Shën Petersburg./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?