Presidenti Volodymyr Zelensky ka sqaruar ditën e sotme gjendjen e ushtarëve ukrainas në rajonin e Rusisë, Kursk, të cilët sipas Kievit, prej disa muajsh po vazhdojnë të mbajnë nën kontroll terrotorin rus.
Sipas Zelenskyt, pretendimet e presidentit Vladimir Putin se trupat ukrainase në Kursk janë rrethuar nga ushtria ruse dhe rrezikojnë të eliminohen masivisht nëse nuk dorëzohen, janë të pavërteta.
Ai thekson se "trupat tona vazhdojnë të ndalojnë grupimet ruse dhe koreano-veriore në rajonin e Kurskut" dhe se "nuk ka rrethim të trupave tona".
"Mbrojtja e pozicioneve tona në rajonin e Donetskut dhe në zona të tjera të vijës së frontit. Jam mirënjohës për të gjitha njësitë ukrainase për qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e tyre në shkatërrimin e pushtuesit. Situata në drejtimin e Pokrovskut është stabilizuar.
Një vërejtje e veçantë për rajonin e Kurskut. Operacioni i forcave tona në zonat e përcaktuara të rajonit të Kurskut po vazhdon. Njësitë po përmbushin detyrat e tyre saktësisht siç kërkohet. Falë forcave ukrainase në rajonin e Kurskut, një numër i madh i forcave ruse u tërhoq nga drejtime të tjera. Trupat tona vazhdojnë të ndalojnë grupimet ruse dhe koreano-veriore në rajonin e Kurskut. Nuk ka rrethim të trupave tona.
Gjithashtu, po monitorojmë drejtimet përgjatë kufirit tonë lindor të Ukrainës, ku ushtria ruse po grumbullon forca. Kjo tregon një synim për të sulmuar rajonin tonë të Sumyt. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe do ta kundërshtojmë. Dua që të gjithë partnerët të kuptojnë saktësisht se çfarë po planifikon Putini, për çfarë po përgatitet dhe çfarë do të injorojë.
Grumbullimi i forcave ruse tregon se Moska synon të vazhdojë të injorojë diplomacinë. Është e qartë se Rusia po e zgjat luftën. Ne jemi të gatshëm t'u ofrojmë partnerëve tanë të gjitha informacionet reale mbi situatën në front, në rajonin e Kurskut dhe përgjatë kufirit tonë.
Sot pati gjithashtu raporte mbi programin tonë të raketave. Kemi rezultate të prekshme. Raketa e gjatë "Neptune" u testua dhe u përdor me sukses në luftime. Një raketë e re ukrainase, goditje e saktë. Rreze veprimi prej një mijë kilometrash. Falënderoj zhvilluesit, prodhuesit dhe personelin tonë ushtarak ukrainas. Ne vazhdojmë punën për të garantuar sigurinë e Ukrainës.
Gjithashtu sot, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës paraqiti një raport mbi paketat e reja të mbështetjes nga partnerët tanë. Po sigurojmë furnizime me artileri. Jam mirënjohës për të gjithë partnerët që po ndihmojnë",- shkruan Zelensky në platformën "X".
Më 13 mars, presidenti rus vizitoi rajonin Kursk, ku inkurajoi trupat e tij dhe pretendoi se ushtarët ukrainas janë totalisht të rrethuar dhe në disavantazh ndaj më e mira për ta do të ishte tërheqja e menjëhershme nëse nuk duan të shfarosen.
Ndërsa ditën e djeshme presidenti Donald Trump njoftoi se kishte zhvilluar një telefonatë me kreun e Kremlinit, ku ndër të tjera i kishte kërkuar t'u kursente jetën ushtarëve ukrainas në Kursk.
Komente
