Politikë

Trump Jr. përgënjeshtroi PD/ Petraj për Report Tv: Trump s’të fal kur përdoret emri i tij! Beqiri: PD kërkon të lëkundë besimin e shqiptarëve te SHBA, se ‘amerikanët u korruptokan’

28 Prill, 17:17| Përditesimi: 28 Prill, 18:17

  • Share

Djali i Presidentit Donald Trump, Donald Jr., përgënjeshtroi zyrën e PD-së në lidhje me takimin e aluduar prej tyre, me kryeministrin Edi Rama në Beograd.

Avokati Idajet Beqiri mendon se qëllimi i Partisë Demokratike me kontratat lobuese dhe me shpërndarjen e lajmeve të rreme, përveç heqjes së non gratës së Sali Berishës, është që të rrisë antiamerikanizmin tek shqiptarët dhe të përmbysë shifrën e proamerikanizmit, duke thënë se “ja, dhe ata korruptohen”.

Kurse avokati Edmond Petraj, u shpreh se “Donald Trump nuk të fal nëse përdoret emri i tij dhe familjes dhe do ketë veprime pas këtij rasti”.

Përgënjeshtrimi që djali i presidentit amerikan i bëri PD-së për takimin e pretenduar të kryeministrit Edi Rama me Donald Trump Jr., në Beograd, ishte një nga temat e diskutuara në emisionin “Studio Live” të Report Tv me dy të ftuarit.

“Këta janë ca njerëz, ca palaço që përdorim emrat e të tjerëve dhe publikojnë çfarë duan. Kërkojnë të prishin marrëdhëniet me SHBA dhe madje të rrisin antishqiptarizmin ndaj SHBA-ve, kur jemi populli më pro amerikan. Kjo është për të vënë duart në kokë, është shumë e rëndë. Përgënjeshtrimi nga djali i Trump tregon se si manipulojnë njerëzit e PD-së këtu në Shqipëri.

Është reagim jashtëzakonisht i fortë, shumë i hapur dhe që u tregon shqiptarëve brenda dhe në diasporë, se “ja çfarë bëjnë këta amerikanët, pra duan të korruptojnë deri njerëzit e afërt të Trump, ja deri ku shkojnë dhe shikoni se si jepen non grata, se jepen kot, jepen për të vjelë para, sepse për të larë non gratën duhet të paguash në Amerikë”. Se vërtetë ia vunë non gratën, por ai me 6 mln dollarë po e pastron veten, po e heq. Këtë duan dhe kanë qëllim këta që t’i thonë popullit shqiptar. Por shqiptartë e dinë se janë akte të Berishës dhe mbështetësve të tij, pasi shqiptarët nuk lëkundin besimin te SHBA”, tha Beqiri.

Kurse Petraj e cilësoi skandaloz përdorimin e emrit të presidentit amerikan Donald Trump nga njerëz afër tij, si Chris LaCivita.

“Po përdoret imazhi i presidentit Trump, zv/presidentit apo këshilltarëve të afërt, si suport e mbështetjes gjoja nga SHBA tek PD-ja. Përdorin LaCivita dhe ai më tej teksa ndërhyn për lobim tek administrata e Trump, tek Rubio dhe më gjerë. Unë garantoj se FBI ka nisur hetimet apo do nisë hetimet për 6 mln dollarë të kontratës së lobimit si krim zgjedhor dhe fushatës elektorale më tej. Trump nuk të fal kur përdoret emri i tij, kemi edhe rastin e ish-presidentit Biden me djalin në një marrëveshjeje armësh në Ukrainë që u tentua të implikohej. Unë them se Trump nuk toleron, nuk të fal nëse përdoret emri i tij apo tentohet nëpërmjet lobimit në emër të tij, do e shohim. Edhe te hetimi i SPAK me të gjithë skanimin, por edhe me hetimet në Amerikë nga FBI, do verifikohet, të jeni të sigurt që do ketë veprime konkrete”, tha avokati për Report Tv.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?