Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dhënë forcave të Hamasit një afat deri të dielën në mbrëmje për të arritur një marrëveshje lidhur me planin e tij për të ardhmen e Gazës, duke e quajtur këtë një mundësi të fundit për grupin militant palestinez.
“Marrëveshja duhet të arrihet me Hamasin deri të dielën në mbrëmje, në orën 6 pasdite, sipas kohës në Uashington, D.C.,” shkroi Trump të premten në platformën e tij Truth Social.
“Të gjitha vendet kanë nënshkruar! Nëse kjo marrëveshje e fundit nuk arrihet, do të shpërthejë një kaos i papërshkrueshëm kundër Hamasit”.
Trump ka deklaruar të martën se do t’u japë forcave të Hamasit tre deri në katër ditë për të pranuar një dokument prej 20 pikash, i cili kërkon që grupi të dorëzohet, një kërkesë që ai e ka refuzuar më parë. Një burim pranë Hamasit tha të mërkurën se grupi po shqyrton propozimin.
Plani përfshin një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbimin e të gjithë pengjeve të mbajtur nga Hamasi për të burgosurit palestinezë në Izrael, një tërheqje të fazuar të Izraelit nga Gaza, çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie kalimtare të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar.
