Presidenti amerikan Donald Trump i rikthehet çështjes së tarifave me BE dhe kërcënon të implementojë tarfia doganore në nivelin 50 përqind që prej 1 qershorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Trump nënvizon se BE-ja ka qenë e vështirë në negociata.
"Barrierat e tyre të fuqishme tregtare, taksat e TVSH-së, penalizimet qesharake të korporatave, barrierat tregtare jo-monetare, manipulimet monetare, paditë e padrejta dhe të pajustifikuara kundër kompanive amerikane dhe më shumë, kanë çuar në një deficit tregtar me SHBA-në prej më shumë se 250,000,000 dollarësh në vit, një shifër që është krejtësisht e papranueshme.Diskutimet tona me ta nuk po çojnë askund. Prandaj, unë po rekomandoj një tarifë të drejtpërdrejtë prej 50% për Bashkimin Evropian, duke filluar nga 1 qershori 2025” shkroi Trump në Truth.
Tarifa doganore që Trump po shqyrton t’i vendosë BE-së është më shumë se dyfishi i tarifës doganore fillestare “reciproke” prej 20% që ishte në fuqi për një kohë të shkurtër në prill -përpara se ai t’i pezullonte për të bërë negociata.
Sipas CNN tre indekset kryesore të bursës evropiane ranë ndjeshëm pas postimit të Trump: indeksi DAX i Gjermanisë dhe CAC i Francës ishin përkatësisht 2.6% dhe 2.8% më të ulët gjatë ditës.
Indeksi FTSE i Londrës ra me 1.3%. Kontratat e ardhshme të aksioneve amerikane gjithashtu ranë, me kontratat e ardhshme të lidhura me Dow që ranë me më shumë se 600 pikë, ose 1.7%.
Megjithatë Trump nuk e ka lënë me kaq. Ai ka kërcënuar gjithashtu se do të vendos një taksë importi prej 25% për iPhone-t që nuk prodhohen në Amerikë.
"Kohë më parë e kam informuar Tim Cook të Apple se pres që iPhone-t e tyre që do të shiten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prodhohen në Shtetet e Bashkuara, jo në Indi apo ndonjë vend tjetër. Nëse nuk është kështu, një tarifë prej të paktën 25% duhet t'u paguhet SHBA-ve nga Apple", shtoi ai.
Komente

Ky trapi fillon me tarifa te renda por kur i ngec sharra ne gozhde terhiqet mbrapa
PërgjigjuManipulon tregun sepse perhap panik dhe bursa bjen, pastaj i fut nje lajm qe u gabova me dozazhin duke ulur % dhe bursa rritet. Bli lire e shit shtrenjt or teeeejjjjj