Kievi është me shpinën për muri. Në cep. Donald Trump i ka dhënë një ultimatum Zelenskyt. “Kam marrëveshjen me Rusinë” duke shtuar: por është e vështirë të negociohet me presidentin ukrainas. Sipas Trump, qëndrimet e liderit ukrainas janë “qëndrime nxitëse, që e çojnë vendin e tij drejt katastrofës. Zelensky nuk ka karta për të luajtur: mund të arrijë paqen ose të luftojë për tre vjet të tjerë para se të humbasë gjithë Ukrainën. Kështu, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të zgjasë shfarosjen”.
Trump shpërtheu pasi Zelensky sapo ka deklaruar se dorëzimi i Krimesë Rusisë “nuk është i negociueshëm”. “E papranueshme”, thotë Shtëpia e Bardhë. Durimi (i pakët) i “Donaldit” ka mbaruar: marrëveshja me Putinin duhet të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Këtë e konfirmon edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance: “Ne kemi paraqitur një propozim të drejtë dhe një kërkesë shumë të qartë si për rusët ashtu edhe për ukrainasit. Tani u takon atyre të thonë po. Ose Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga negociatat”.
Samiti i Londrës
Ndërkohë, aleatët evropianë përpiqen me dëshpërim të shpëtojnë anijen që po mbytet. Britanikët, francezët dhe gjermanët (italianët mungojnë) rreshtohen me Kievin, pasi Rubio dhe negociatori i Trumpit, Ëitkoff, bojkotuan dje samitin e Londrës, duke lënë të vetëm të dërguarin amerikan për Ukrainën, gjeneralin Kellogg. Asnjë marrëveshje me Putinin, theksuan dje evropianët në samit, pa një armëpushim paraprak dhe pa garancitë e sigurisë nga SHBA – mburojë ushtarake dhe bërthamore – që Putini të mos sulmojë më kurrë Ukrainën. Të njëjtin paralajmërim dha edhe këshilltari i Zelenskyt, Andriy Yermak, gjithashtu i pranishëm në Londër: “Për ne, një armëpushim i plotë është hapi i parë i domosdoshëm për negociata me Rusinë”.
Por evropianët dhe ukrainasit duken të pafuqishëm. Trump nuk ka ofruar asnjë garanci sigurie, siç është kërkuar prej muajsh nga kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron, të dy në krye të “Koalicionit të Vullnetshmëve” dhe të gatshëm të vendosin trupa në Ukrainë pas armëpushimit. Zëdhënësi i Starmer përsërit: “U takon ukrainasve të vendosin”. Por plani me shtatë pika i paraqitur dje nga Kellogg në Londër është një pilulë shumë e hidhur për t’u kapërdirë. Për të gjithë.
Shtatë pikat e planit
Sipas draftit që qarkulloi dje, plani me shtatë pika i Trumpit është “dukshëm i anuar në favor të Rusisë”, siç shkruante mbrëmë Neë York Times. Diçka e papranueshme dhe skandaloze për shumë vetë në Kiev, dhe jo vetëm. Ndër besnikët e Zelenskyt ka nga ata që kërkojnë të mos dorëzohen përballë asaj që mund të jetë një kapitullim i bujshëm i Ukrainës.
Për amerikanët, megjithatë, nuk duhet humbur “momentumi”. Në orët e fundit, Putini ka bërë dy hapje të dukshme: gatishmërinë për të ulur në tryezë me Zelenskyn (pa kërkuar më largimin paraprak të tij) dhe mundësinë për të ngrirë zonat e pushtuara aktualisht, pa pretenduar më katër provincat e kontestuara (Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhzhia). Por shtatë pikat e propozimit amerikan për paqe mbeten shumë të rënda, siç shkroi The Telegraph.
E para: Njohja zyrtare e Krimesë si ruse – një sfidë e hapur ndaj ligjit ndërkombëtar.
E dyta: Njohja de facto nga SHBA e territoreve të tjera ukrainase të pushtuara nga Moska.
E treta: Asnjë anëtarësim në NATO për Kievin (por po për hyrjen në BE).
E katërta: Centrali bërthamor i Zaporizhzhias nën kontrollin amerikan.
E pesta: Marrëveshje për shfrytëzimin amerikan të mineraleve dhe tokave të rralla të Ukrainës.
E gjashta: Reduktim drastik i sanksioneve amerikane ndaj Rusisë (por këtu BE-ja mund të ushtrojë presion falë qindra miliarda aseteve ruse të ngrira) dhe madje bashkëpunim energjetik mes Uashingtonit dhe Moskës.
Putinit, i cili nesër do të presë sërish të dërguarin amerikan Ëitkoff, do t’i kërkohet thjesht të tërheqë trupat nga disa zona të pushtuara, si ato përreth Khersonit, duke i kthyer kështu ukrainasve aksesin në lumin Dnipro. Shumë pak, në këtë orë të re më të errët të Evropës. Me shpresën që të mos jetë një tjetër “Paqe e Mynihut”./La Repubblica
Komente
