Donald Trump

Bota

Samiti i NATO-s/ Trump kërkon marrëveshje me Moskën, ‘ngrin’ ndihmën amerikane për aleatët

25 Qershor, 09:26| Përditesimi: 25 Qershor, 10:09

  • Share

“Varet nga përkufizimi. Ka disa mënyra për të përkufizuar Nenin 5”. Duke fluturuar me Air Force One drejt Holandës për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, Donald Trump hodhi një deklaratë që alarmoi të gjithë partnerët e tjerë. Veçanërisht evropianët. Sepse ajo fjali, e thënë me njëfarë moskokëçarjeje, ka një kuptim të vetëm: nëse Rusia do të sulmonte ndonjë nga vendet e Kontinentit të Vjetër, nuk është e sigurt që SHBA-të do të vinin në ndihmë.

Me shumë mundësi, bëhet fjalë për një presion shtesë ndaj atyre që ngurrojnë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, por gjithashtu për një kërcënim që sjell ndër mend idenë e braktisjes së Aleancës Atlantike nga Uashingtoni. Një makth që ende nuk është materializuar dhe ndoshta nuk do të ndodhë kurrë, por që qëndron pezull mbi kokat e 31 anëtarëve të tjerë të Organizatës. Dhe që rikthehet sa herë që presidenti amerikan përdor këto fraza. “Nuk kemi qenë kurrë më të angazhuar — u përpoq të ulë tensionin përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker — këto janë faktet. SHBA janë këtu për të qëndruar”. E megjithatë, në darkën e mbrëmshme me të cilën u çel samiti në Hagë, tensioni ishte i ndjeshëm. Kushdo që ishte ulur përballë tryezës së shtruar — tregojnë ata që ishin të pranishëm — nuk dinte ç’të priste nga miliarderi.

Sidomos sepse “çështja Spanjë” po vazhdon të trazojë të gjithë. Dhe vetë Trump nuk bëri asgjë për të fshehur nervozizmin e tij për pretendimin e Spanjës që të mos shpenzojë 5% të PBB-së deri në vitin 2035 për mbrojtjen. “Spanja — paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë — është një problem” sepse vendimi i kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez për të mos shpenzuar 5% të PBB-së, “është shumë i padrejtë ndaj të tjerëve”. Dhe në fakt, shumëkush ka kritikuar qëndrimin e Madridit.

Për të treguar sa i përkushtuar është “Komandanti i Përgjithshëm” për këtë çështje, mjafton të shihet se si theu çdo rregull të protokollit duke publikuar mesazhin konfidencial që i kishte dërguar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Një zgjedhje që krijoi jo pak siklet. “Urime dhe faleminderit për veprimin tënd vendimtar në Iran — lexohet në mesazh — ishte vërtet e jashtëzakonshme dhe askush tjetër nuk do të kishte guxuar ta bënte. Tani jemi të gjithë më të sigurt. Po fluturon drejt një suksesi tjetër të madh në Hagë sonte. Nuk ishte e lehtë, por i bindëm të gjithë të firmosnin për 5%! Donald, na ke çuar drejt një momenti vërtet, vërtet të rëndësishëm për Amerikën, për Evropën dhe për botën. Do të arrish diçka që asnjë president amerikan nuk ka arritur në dekada. Evropa do të paguajë në masë të madhe, siç është e drejtë, dhe kjo do të jetë një fitore jote”. Rutte, holandezi, që thotë “Evropa do të paguajë”.

Por edhe për Ukrainën, Trump ka dhënë pak siguri për partnerët evropianë dhe për Kievin. Megjithëse sot takohet kokë më kokë me presidentin ukrainas Zelenski, lideri amerikan ka hedhur sërish dyshime për nevojën e përfshirjes në deklaratën përfundimtare të samitit të një dënimi të agresionit rus. “Duhet të hedh një sy — ishte qëndrimi i tij — por do të më pëlqente të shihja një marrëveshje me Rusinë. Siç e dini, Vladimir më telefonoi. Më pyeti, “mund të ndihmoj me Iranin?”. I thashë që nuk kisha nevojë për ndihmë me Iranin, por se ai kishte nevojë për mua. Shpresoj për një marrëveshje sepse është një turp. Javën e kaluar vdiqën 6.500 ushtarë në një luftë që nuk do të kishte shpërthyer kurrë po të isha unë president”. Dhe e gjithë kjo, ndërkohë që vetë Rutte ka deklaruar se në dokumentin përfundimtar do të ketë “fjalë të rëndësishme për mbështetjen ndaj Ukrainës”. Përkundrazi, ndryshe nga shpresat e Trump për një marrëveshje me Kremlinin, lideri i NATO-s është i bindur se duhet të shpenzohet më shumë për mbrojtjen, pikërisht sepse “Rusia do të përpiqet të ndërmarrë diçka kundër nesh në 3-7 vitet e ardhshme”.

Pra, asnjëherë më parë retë e pasigurisë nuk kanë mbuluar një samit të NATO-s kaq shumë sa kësaj here./La Repubblica

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?