Presidenti amerikan Donald Trump i është drejtuar Gjykatës së Lartë të SHBA-së, duke kërkuar që ajo të rrëzojë një vendim të një gjykate më të ulët, e cila shpalli si të paligjshme një pjesë të tarifave doganore të gjera tregtare të vendosura gjatë mandatit të tij.
Administrata e tij i kërkon gjyqtarëve të ndërhyjnë urgjentisht për të konfirmuar se presidenti ka të drejtën për të vendosur taksa mbi importet nga vendet e huaja, në kuadër të masave të emergjencës ekonomike.
Javën e kaluar, një trupë e ndarë e Gjykatës së Apelit për Qarkun Federal vendosi me rezultatin 7 pro dhe 4 kundër se tarifat doganore e vendosura nga Trump nëpërmjet një ligji për kompetencat ekonomike emergjente nuk përputheshin me autoritetin presidencial. Sipas vendimit, vendosja e taksave është “një kompetencë thelbësore e Kongresit”.
Ky rast mund të ketë pasoja të mëdha për axhendën ekonomike dhe të politikës së jashtme të Trump, duke rrezikuar gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të detyrohen të rimbursojnë miliarda dollarë nga tarifat e mbledhura gjatë kohës së tij në detyrë, shkruan BBC.
Trump i kishte justifikuar tarifat doganre sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA), i cili i jep presidentit fuqinë për të vepruar kundër kërcënimeve "të pazakonta dhe të jashtëzakonshme".
Në prill, Trump shpalli një emergjencë ekonomike, duke argumentuar se një çekuilibër tregtar kishte dëmtuar prodhimin vendas dhe ishte i dëmshëm për sigurinë kombëtare.
Ndërsa gjykata e apelit vendosi kundër presidentit, ajo e shtyu vendimin e saj që të hynte në fuqi, duke i dhënë administratës Trump kohë për të paraqitur një apel.
"Rreziqet në këtë rast nuk mund të jenë më të larta", tha Prokurori i Përgjithshëm John Sauer në dosjen e paraqitur të mërkurën.
Ai theksoi se “vendimi i gabuar i gjykatës së shkallës së parë ka ndërprerë negociatat diplomatike tregtare me ndikim të lartë, të ndjeshme dhe të vazhdueshme, dhe ka hedhur një mbulesë pasigurie ligjore mbi përpjekjet e Presidentit për të mbrojtur vendin tonë duke parandaluar një krizë të pashembullt ekonomike dhe të politikës së jashtme”.
Nëse gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e refuzojnë shqyrtimin, vendimi mund të hyjë në fuqi më 14 tetor.
Komente
