Donald Trump

Bota

Trump letër BE dhe Meksikës: Tarifa doganore prej 30% duke filluar nga 1 gushti

12 Korrik, 14:53| Përditesimi: 12 Korrik, 17:58

  • Share

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se Bashkimi Evropian dhe Meksika do të përballen me një tarifë prej 30% për importet në SHBA duke filluar nga 1 gushti. Në dy letra të veçanta të publikuara në Truth Social, Trump kërcënoi me tarifa edhe më të larta nëse BE-ja ose Meksika hakmerren kundër taksës së tij të re.

Në letrën e dërguar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Trump shkroi se marrëdhënia tregtare mes BE dhe SHBA nuk ka qenë reciproke gjatë viteve.

“Kemi pasur vite që diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha dhe të vazhdueshme, të shkaktuara nga politikat dhe barrierat tuaja tregtare tarifore dhe jo-tarifore. Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke", thuhet në letër.

Në letrën e tij drejtuar Meksikës, Trump tha se nuk mendon se vendi kishte bërë mjaftueshëm për të ndaluar që SHBA-të të shndërroheshin në një "fushë lojërash për trafikim narkotikësh".

Letra drejtuar BE-së vjen pavarësisht faktit se negociatat tregtare janë ende duke u zhvilluar midis Brukselit dhe Uashingtonit, duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje që mund të pranohet nga shtetet anëtare të unionit. Ata shpresonin të arrinin një marrëveshje para afatit të 9 korrikut, por nuk ka pasur njoftime për progresin.

Bashkimi Evropian me 27 anëtarë është partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara — importet në SHBA me vlerë 605 miliardë dollarë tejkalojnë Meksikën, Kanadanë dhe madje edhe Kinën. Kategoria më e vlefshme janë ilaçet dhe produktet farmaceutike, të ndjekura nga automobilat, avionët dhe makineri të tjera të rënda.

Ora 17:54
Trump shpalli tarifa 30% për produktet e BE-së, reagon Von der Leyen: Jemi gati për kundërpërgjigje

1750604290_vonderleyen.jpg

Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane të importuara në SHBA, duke paralajmëruar se ky veprim do të prishë seriozisht zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe do të dëmtojë ekonominë në të dy anët e Atlantikut.

Në një deklaratë zyrtare, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë masa të nevojshme për të mbrojtur interesat e tij në rast se tarifat hyjnë në fuqi nga 1 gushti.

“Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve në të dy anët e Atlantikut,” deklaroi ajo.

“Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të drejta në praktikat tregtare sa Bashkimi Evropian”, theksoi Ursula von der Leyen.

Ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme,” thuhet në deklaratë.

Xh.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?