Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur në Skoci, ku do të takohet me udhëheqësit evropiane dhe britanikë për negociatat tregtare. Trump mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar vonë të premten, ku do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Keir Starmer dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Përpara se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan u tha gazetarëve se do të diskutonte marrëveshjen tregtare midis Uashingtonit dhe Londrës me Starmer dhe "ndoshta edhe do ta përmirësonte atë". Von der Leyen tha më herët të premten se pati një telefonatë “të mirë” me Trumpin.
“Kemi rënë dakord të takohemi në Skoci të dielën për të diskutuar marrëdhëniet tregtare transatlantike dhe se si mund t’i mbajmë ato të forta”, tha ajo në një postim në rrjetet sociale.
Menjëherë pasi rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump vendosi tarifa për importet nga e gjithë bota dhe i ftoi vendet të negocionin marrëveshje dypalëshe me SHBA-në për të shmangur ose zvogëluar çdo barrierë të mëtejshme tregtare. Mbretëria e Bashkuar ra dakord për një marrëveshje tregtare me SHBA-në në qershor që zgjeroi aksesin në mallrat amerikane në tregun britanik.
Por lufta tregtare e SHBA-së me Bashkimin Evropian është intensifikuar. Më herët këtë muaj, Trump njoftoi tarifa prej 30% mbi importet e BE-së duke filluar nga 1 gushti. Udhëheqësit evropianë kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar një marrëveshje, ndërsa kërcënojnë gjithashtu të vendosin masat e tyre tregtare kundër SHBA-së.
Komente
