ilustruese

Bota

Trump mbështet planin e Tony Blair për paqen në Gaza

18 Shtator, 16:23| Përditesimi: 18 Shtator, 16:29

  • Share

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur planin e Tony Blair për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Trump i ka dhënë ish-kryeministrit britanik dy javë kohë për të siguruar mbështetje për këtë propozim. Projekti i Institutit Tony Blair (TBI) parashikon krijimin e një trupi të përkohshëm për të qeverisur Gazën, pa zhvendosje të civilëve, dhe një përpjekje shumëkombëshe për të parandaluar rikthimin e Hamasit.

Sir Tony ka punuar për një plan të pas luftës – i njohur si “Dita Pas” – që kur konflikti shpërtheu në tetor 2023. Presidenti amerikan ka sugjeruar ta shndërrojë Gazën në “Rivierën e Lindjes së Mesme” – një parajsë luksoze me kazino dhe prona buzë detit. Ai ka folur gjithashtu për zhvendosjen e mijëra palestinezëve nga territori i shkatërruar nga lufta, por burime për The Telegraph kanë konfirmuar se plani i Sir Tony-t nuk përfshin zhvendosjen e gazanëve.

Plani i tij përfshin krijimin e një Njësie për Ruajtjen e të Drejtave Pronësore, e cila do të synonte forcimin e të drejtave të atyre gazanëve që largohen vullnetarisht, duke u garantuar të drejtën për t’u kthyer. Nëse miratohet, do të krijohej edhe një organ i përkohshëm i quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Tranzitor i Gazës (GITA).


I ngritur nga Kombet e Bashkuara, GITA do të qeveriste Gazën për disa vite pas luftës, përpara se ta kalonte administrimin tek Autoriteti Palestinez, i cili do të pritej të kalonte reforma të thella përpara se të merrte kontrollin. Sipas një versioni të draftit të zbuluar nga The Times of Israel, GITA do të ishte “autoriteti më i lartë politik dhe ligjor në Gaza gjatë periudhës tranzitore”.

Ai do të kishte të paktën një përfaqësues palestinez, si dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, figura ndërkombëtare me përvojë në biznes dhe një përfaqësim të fortë të anëtarëve myslimanë. Trump mbështeti planin e Sir Tony-t gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht. Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, ka qenë figurë qendrore në zhvillimin e këtij plani pas luftës, pasi ka porositur TBI që të punojë mbi propozimin.

Ndërkohë, Sir Tony ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Trumpit dhe liderë në të gjithë Lindjen e Mesme për të siguruar mbështetje për planin. The Telegraph më parë ka raportuar se Blair ka këshilluar Steve Witkoff, të dërguarin e Trumpit për Lindjen e Mesme.

Sir Tony ka luajtur një rol të rëndësishëm si kryeministër britanik në negociatat që çuan në Marrëveshjen e së Premtes së Mirë në vitin 1998, e cila i dha fund konflikteve në Irlandën e Veriut. Trump është veçanërisht i interesuar që Blair të sigurojë mbështetjen e Arabisë Saudite, pasi e konsideron vendin thelbësor për suksesin e çdo plani pas luftës.

Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, kërkon që çdo plan pas luftës të çojë drejt krijimit të një shteti palestinez – gjë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar në mënyrë kategorike.

Izraeli ka refuzuar gjithashtu publikisht që Autoriteti Palestinez të luajë ndonjë rol në qeverisjen e Gazës, por ka bashkëpunuar “në mënyrë konstruktive” me planin e Blair, sipas The Times of Israel.

Bezalel Smotrich, ministri izraelit i Financave nga e djathta ekstreme, tha të mërkurën se Gaza ka potencialin të bëhet një “bonanza” pronash, dhe pohoi se ishte në bisedime me zyrtarë amerikanë për mënyrën se si të ndahej territori i shkatërruar nga lufta.

Kjo vizion për Gazën u shfaq edhe në një video të çuditshme të krijuar nga inteligjenca artificiale, të cilën Trump e ndau në shkurt.

Zyrtarë pranë ish-kryeministrit britanik besojnë se sulmi i fundit i Izraelit kundër liderëve të Hamasit në Katar mund të ketë minuar përpjekjet e Blair.

The Wall Street Journal raportoi të enjten se Trump ishte "i frustruar" me Netanyahun për shkak të sulmit, për të cilin presidenti raportohet se ishte njoftuar vetëm 50 minuta para se të ndodhte.

“Po më q**** punën,” – mësohet të ketë thënë Trump, pasi Netanyahu zgjodhi një tjetër veprim ushtarak në Lindjen e Mesme në vend të një armëpushimi.

Izraeli ka nisur gjithashtu një ofensivë tokësore të re në qytetin e Gazës, duke dërguar mijëra ushtarë për të luftuar forcat e mbetura të Hamasit.

Plani i Blair kërkon çarmatimin e Hamasit, gjë që përputhet me kërkesat e SHBA-së për këtë grup të shpallur terrorist.

Propozimi gjithashtu parashikon krijimin e një force ndërkombëtare, e cila do të mbështesë forcat policore civile të Gazës për të parandaluar që Hamasi të rishfaqet si një forcë e armatosur.

Instituti Tony Blair nuk pranoi të komentojë.

 

The Telegraph

 

A.I/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?