Bota

Trump në Kongres: ‘Amerika është rikthyer!’ Rindez luftën e tarifave doganore e akuzon BE-në: ‘Shpenzoi më shumë për gazin rus sesa për Ukrainën! Rusia do paqen'

5 Mars, 07:20| Përditesimi: 5 Mars, 13:14

  • Share

WASHINGTON- “Amerika është rikthyer,” tha Donald Trump, duke përdorur të njëjtën frazë që Joe Biden përdori për të siguruar aleatët e tij pasi mundi presidentin aktual në vitin 2020. E ndërsa slogani u prit me duartrokitje nga republikanët dhe me thirrje "USA, USA" demokratët rrinin të heshtur. 

Në fjalimin më të gjatë ndonjëherë në një seancë të përbashkët të Kongresit nga një president amerikan Trump deklaroi se kishte trashëguar një Amerikë në prag të kolapsit: njëzet e një milionë emigrantë të paligjshëm, një ekonomi të mbërthyer nga inflacioni, qytete të dëmtuara nga krimi dhe trafiku i paligjshëm. Nuk munguan sulmet ndaj Joe Biden dhe administratës së tij.

Letra e Zelenskyt

“Amerika është rikthyer!” Kjo deklaratë vjen ndërsa presidenti amerikan po teston marrëdhëniet me aleatët përmes tarifave doganore dhe pezullimit të ndihmës për Ukrainën. Trump tha se kishte marrë një letër nga Zelensky, ku ai shprehte gatishmërinë për të pranuar marrëveshjen për mineralet e rralla me Kievin, por nuk e njoftoi nënshkrimin e saj, siç prisnin disa.
(“Nuk është në tryezë për momentin,” tha në mbrëmje Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.)

Në vend të kësaj, presidenti premtoi të ndërmarrë “veprime historike për të rritur ndjeshëm prodhimin e mineraleve kritike dhe metaleve të rralla” në Amerikë. Megjithatë, më vonë ai përsëriti se po punon “pa u lodhur” për t’i dhënë fund “konfliktit të egër në Ukrainë” dhe vuri në dukje se ndërsa SHBA ka shpenzuar miliarda dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës,

“Evropa ka shpenzuar më shumë para për të blerë naftë dhe gaz nga Rusia sesa për të mbrojtur Ukrainën. Dhe jo pak! Biden ka autorizuar më shumë para për këtë luftë sesa ka shpenzuar Evropa.”

Musk i ftuari special
Mbrëmë në orën 21:00, (Ora 03:00 e mëngjesit 5 mars me orën tonë) presidenti Trump iu drejtua Kongresit, 43 ditë pas fillimit të mandatit të tij të dytë. Fjalimi i tij u përqendrua kryesisht tek ekonomia dhe emigracioni – dy nga çështjet kryesore që e çuan në Shtëpinë e Bardhë.

Zonja e Parë, Melania, u prit me duartrokitje të fuqishme teksa hynte për t’u bashkuar me familjen dhe këshilltarët e afërt të Trump, përfshirë Elon Musk dhe Steve Witkoff, ndërsa kabineti qeveritar ndodhej në katin e poshtëm pranë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Amerika e para
Kur Trump thotë se “Amerika është rikthyer”, ai i referohet vizionit të tij “America E para”. “Gjashtë javë më parë, nën kupolën e Kapitolit, shpalla agimin e një Epoke të Artë për Amerikën,” tha presidenti.

“Që nga ai moment, kemi vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri për të sjellë epokën më të suksesshme në historinë e vendit tonë. Kemi arritur më shumë në 43 ditë sesa shumica e administratave arrijnë në katër ose tetë vite, dhe sapo kemi filluar. Po kthehem sonte për të njoftuar se vrulli i Amerikës është rikthyer. Shpirti ynë është rikthyer. Krenaria jonë është rikthyer. Besimi ynë është rikthyer. Dhe Ëndrra Amerikane po rilind, më e madhe dhe më e mirë se kurrë më parë.”

“Rilindja e Ëndrrës Amerikane” ishte tema kryesore e fjalimit të gjatë, i ndarë në katër seksione:

-Arritjet e mandatit të dytë brenda dhe jashtë vendit
-Masat për ekonominë
-Kërkesa për fonde të reja për sigurinë kufitare,
-Planet për paqen globale

Republikanët e entuziazmuar shpesh ngriheshin për të duartrokitur, ndërsa demokratët rrinin të heshtur. Presidenti e quajti “shumë të trishtueshme” refuzimin e tyre për të “festuar së bashku”. Kur kongresmeni demokrat Al Green e ndërpreu disa herë në fillim të fjalimit, Trump u nervozua, ndërsa republikanët nisën të brohorisnin “USA! USA! USA!”. Pak më vonë, Green u nxor jashtë nga salla.

Ukraina dhe Rusia
"Kemi marrë sinjale të forta" nga Rusia, "janë të gatshëm për paqe," tha Donald Trump në Capitol Hill, duke theksuar se ka pasur "diskutime serioze" me Moskën. "A nuk do të ishte e mrekullueshme?", shtoi ai. "Është koha t’i jepet fund kësaj lufte të pakuptimtë."

Presidenti shtoi se ka marrë një letër nga lideri ukrainas Zelensky, i cili i ka shprehur dëshirën për t’u ulur sa më shpejt në tryezën e negociatave dhe për ta bërë këtë nën "udhëheqjen e fortë" të Trump.

Urdhrat Ekzekutivë
Trump tha se ka nënshkruar gati 100 urdhra ekzekutivë dhe 400 veprime ekzekutive për të “rikthyer logjikën, sigurinë, optimizmin dhe mirëqenien në vendin tonë të mrekullueshëm”. Ai përmendi disa prej tyre, përfshirë riemërtimin e Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës” dhe masat kundër diversitetit, barazisë dhe përfshirjes. “Në fakt, shumë njerëz thonë se muaji i parë i administratës sonë ishte më i suksesshmi në historinë e vendit tonë,” tha Trump. Demokratët qeshnin ose mbanin tabela me mbishkrimin “Gënjeshtër,” ndërsa ai e krahasoi veten me George Ëashington dhe e quajti Bidenin “presidenti më i keq në historinë e vendit”.

Inflacioni
Një nga prioritetet kryesore të Trump është “Make America Affordable Again” – një përpjekje për të “shpëtuar ekonominë dhe për t’i dhënë lehtësim familjeve punëtore”. Ai fajësoi administratën e mëparshme për “katastrofën ekonomike dhe makthin e inflacionit… më të keqin në 48 vitet e fundit, ndoshta në historinë e vendit”.

“Joe Biden lejoi që çmimi i vezëve të dilte jashtë kontrollit dhe ne po punojmë fort për ta ulur atë,” tha Trump, duke kritikuar gjithashtu politikat e Biden për makinat elektrike dhe rregulloret për shpimet naftës.

Ai njoftoi gjithashtu një projekt të madh për një gazsjellës në Alaskë, ku Japonia, Koreja e Jugut dhe vende të tjera planifikojnë të investojnë triliona dollarë.

Emigracioni
Trump u ndal te emigracioni, duke pretenduar se ka ulur ndjeshëm numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit. “Demokratët dhe mediat thoshin se na duhen ligje të reja për të siguruar kufirin – por në fakt na duhej një president i ri,” tha ai, mes brohoritjeve të republikanëve.

Ai kërkoi fonde nga Kongresi për të realizuar “deportimin më të madh në historinë amerikane,” më i madh se ai i Eisenhoëerit, i cili mban rekordin aktual. Mes të ftuarve në galeri ndodheshin familjarët e viktimave të krimeve të kryera nga emigrantë të paligjshëm.

Elon Musk dhe "Doge"
Trump kishte me vete në Kongres Elon Musk, i cili drejton një departament të quajtur “Doge” për të ulur shpenzimet federale, edhe pa miratimin e Kongresit. Republikanët e duartrokitën, ndërsa demokratët fishkëllenin. Një sondazh i Peë Center tregon se 54% e amerikanëve e shohin negativisht rolin e Musk, ndërsa 42% e mbështesin atë.

Tarifat doganore dhe Demokratët
Trump njoftoi vendosjen e “tarifave të ndërsjellta” doganore nga 2 prilli, përfshirë BE-në. Ai u tha amerikanëve të jenë të durueshëm nëse ndikimet fillestare do të jenë të rënda.

Demokratët, në kërkim të liderëve të rinj, përzgjodhën senatoren e Michiganit, Elissa Slotkin, për të reaguar ndaj fjalimit të Trump. Në Kongres ata kishin ftuar disa punonjës federalë të pushuar nga Musk.

Marrim Groenlandën, Panama dhe shkojmë në Mars
Trump përsëriti synimin e tij për të aneksuar Groenlandën, duke deklaruar: "Mendoj se do t’ia dalim, në një mënyrë apo në një tjetër", pa përjashtuar presionin ekonomik apo përdorimin e forcës ushtarake. Një deklaratë që bie ndesh me premtimin për të respektuar vullnetin e banorëve të Groenlandës. 

"Do ta marrim sërish Kanalin e Panamasë," tha më pas ai, duke kujtuar se ndërtimi i tij ka kushtuar "mijëra jetë amerikanësh"

"Ia dhamë Kinës dhe do ta rikthejmë", shtoi ai, duke iu referuar marrëveshjes së arritur një ditë më parë nga BlackRock për të blerë dy nga portet kryesore të Kanalit nga kompania CK Hutchinson, me bazë në Hong Kong.

"Do të shkojmë në Mars dhe më tej, dhe do të ngulim flamurin amerikan" premtoi ndër të tjera.

Fjalimi i Presidentit Trump në Kongres që zgjati 1 orë e 40 minuta lë në vend të dytë një fjalim të ish Presidenti Bill Clinton që zgjati 1 orë e 28 minuta.

Ora 08:58
Trump para Kongresit: Zelensky më ka dërguar një letër, gati për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet në çdo kohë

Donald Trump në Kongres

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka informuar se është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij dhe është ofruar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e Ukrainës “në çdo kohë”.

Gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, më 4 mars, Trump tha se ka marrë një letër nga Zelensky, në të cilën udhëheqësi ukrainas ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

“Sot, më herët, kam marrë një letër të rëndësishme nga presidenti Zelensky i Ukrainës. Letra thotë: ‘Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për ta sjellë paqen e qëndrueshme më afër. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit’”, tha Trump duke cituar letrën.

Ai tha se 2.000 njerëz vriten çdo javë në luftë - të rinj rusë dhe të rinj ukrainas.

“Dua që kjo të ndalet”, tha Trump, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar “ndoshta 350 miliardë dollarë” në ndihma për Ukrainën, ndërsa Evropa ka shpenzuar vetëm 100 miliardë dollarë.

Trump nuk e përmendi grindjen e tij publike me Zelenskyn, javën e kaluar në Zyrën Ovale. “Ne po shkojmë shumë mirë me ta dhe shumë gjëra po ndodhin”, tha presidenti amerikan.  

Trump mbajti fjalimin një ditë pasi njoftoi se ka pezulluar gjithë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila, tash e tre vjet, lufton kundër forcave pushtuese ruse.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?