Momenti kur Trump dhe Melania zbarkojnë në Londër

Bota

Trump në Londër për një vizitë dy ditore shtetërore, do të takohet me Mbretin Charles III dhe kryeministrin Keir Starmer 

17 Shtator, 08:03| Përditesimi: 17 Shtator, 10:16

  • Share

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, ndodhen në Londër për një vizitë dy ditore shtetërore. Ata zbarkuan në mesnatë në në Aeroportin Stansted me aeroplanin presidencial amerikan Air Force One, dhe u nisën me helikopterin Marine One për në qendër të Londrës.

"Shumë gjëra këtu ma ngrohin zemrën. Është një vend shumë i veçantë.", tha Trump për gazetarët pasi mbërriti në Londër. 

Mbreti Charles III do ta mirëpresë Trumpin dhe Melanian në Kështjellën Windsor për të filluar vizitën shtetërore dy-ditore. Ata do të shoqërohen nga një procesion me karroca me Mbretin, Camillan, Princin William dhe Kate Middleton përgjatë rrugës për në kështjellë, e cila do të jetë e rrethuar nga anëtarë të Forcave të Armatosura. Më pas Trump me mbretin do të inspektojë Gardën e Nderit në Kështjellën Windsor.

Në një moment privat, ata më vonë do të vizitojnë varrin e Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II në Kapelën e Shën Gjergjit në Windsor, dhe do të vendosin një kurorë me lule. Të enjten, ai do të udhëtojë për në rezidencën rurale të kryeministrit Keir Starmer, në Chequers. Më vonë, udhëheqësit politikë do të marrin pjesë në një pritje biznesi, të organizuar në Chequers.

Trump u ftua nga Mbreti Charles dhe bëhet presidenti i parë i SHBA-së që merr një ftesë për vizitë të dytë shtetërore. Trump ka folur prej kohësh për admirimin e tij për Familjen Mbretërore dhe për kulturën britanike në tërësi.

Lajm në përditësim... 
 

Ora 10:10
Si ka ndikuar marrëveshja tregtare e Britanisë me Trump në ekonominë e saj

Foto: Keir Starmer dhe Donald Trump

Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që arriti një marrëveshje tregtare me SHBA-në për të shmangur tarifat doganore të Presidentit Donald Trump - taksat e larta të importit për të gjithë partnerët tregtarë që ai i zbuloi në prill.

Edhe pse SHBA-të e mbajtën taksën e re bazë mbi importet e Mbretërisë së Bashkuar në 10%, u ra dakord për disa përjashtime për makinat britanike, pjesët e aeroplanëve, çelikun dhe aluminin, si dhe mallrat bujqësore si mishi i viçit.

Kur marrëveshja - ose, më saktë, korniza për një marrëveshje të plotë - u zbulua në muajin maj, kryeministri britanik Keir Starmer u pyet nëse kishte një përmirësim në marrëdhëniet tregtare të gjashtë muajve më parë, përpara se Trump të merrte detyrën.

 Ai u përgjigj: "Pyetja që duhet të bëni është: A është më mirë se ku ishim dje?"

Nga kjo pikëpamje, ishte një përmirësim.

Por marrëveshja e re nuk ka hyrë ende në fuqi dhe nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi.

Për momentin, çeliku dhe alumini në Mbretërinë e Bashkuar janë ende subjekt i tarifave të larta doganore prej 25% - të vendosura nga Trump në fillim të këtij viti.

Taksat i kanë dhënë një goditje të mëtejshme industrisë britanike të çelikut dhe, sipas konsulencës Capital Economics, kërcënojnë ekonomitë rajonale të Uellsit, Yorkshire dhe Humberside, ku ndodhen shumica e vendeve të punës në çelik.

Një tjetër ‘viktimë’ e marrëveshjes tregtare me Trump ka qenë prodhimi i bioetanolit në Britani, një lloj etanoli - karburant dhe tretës .

Muajin e kaluar, Associated British Foods njoftoi mbylljen e uzinës më të madhe të bioetanolit në Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur kryesisht vendimin e qeverisë për të hequr në mënyrë efektive tarifat mbi bioetanolin amerikan si pjesë e marrëveshjes së majit.

Ora 09:12
Kryebashkiaku i Londrës ‘shpërthen’ kundër Trump: Ka ndezur flakën e politikës përçarëse në të gjithë botën

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka shpërthyer kundër presidentit të SHBA-ve, Donald Trump teksa ky i fundit ndodhet në Britaninë e Madhe për një vizitë zyrtare.

Sadiq Khan ka akuzuar Trump për përdorimin e taktikave përçarëse në politikë të cilët kanë afektuar të gjithë botën.

“Presidenti Donald Trump dhe rrethi i tij ndoshta kanë bërë më shumë për të ndezur flakët e politikës përçarëse dhe të ekstremit të djathtë në të gjithë botën në vitet e fundit”, shkroi Khan në një artikull të publikuar mbrëmjen e djeshme.

Veprime të tilla, sipas Kahn, përfshijnë "fajësimin e pakicave, deportimin e paligjshëm të qytetarëve amerikanë" dhe "vendosjen e ushtrisë në rrugët e qyteteve të ndryshme".

Ndërkohë në një debat në vitin 2019, Trump e ka cilësuar Khan si një “humbë të patundur”, pasi ky i fundit kritikoi vendimin e qeverisë së kohës për të ftuar Donald Trump në një vizitë shtetërore.

Ora 08:44
SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar zbulojnë marrëveshjen teknologjike, ndërsa Trump nis vizitën shtetërore

Foto: Melania dhe Donlad Trump

Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për një pakt teknologjik që do të sjellë miliarda dollarë investime në inteligjencën artificiale, informatikën kuantike dhe energjinë bërthamore.

Firmat kryesore të teknologjisë amerikane - përfshirë Google, Microsoft, Nvidia, OpenAI dhe CoreWeave - premtuan 42 milionë dollarë investime në qendrat e të dhënave, çipat dhe infrastrukturën e inteligjencës artificiale në Mbretërinë e Bashkuar.

“Marrëveshja për Prosperitet Teknologjik” përfshin përpjekjet për të ndërtuar inteligjencën artificiale për kujdesin shëndetësor, një marrëveshje bërthamore civile dhe investime në komunitetet dhe bizneset lokale, tha qeveria britanike.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se marrëveshja “shënon një ndryshim të rëndësishëm brezash në marrëdhënien tonë me SHBA-në, duke formësuar të ardhmen e miliona njerëzve në të dyja anët e Atlantikut dhe duke ofruar rritje, siguri dhe mundësi në të gjithë vendin”.

Deklarata e qeverisë tha se më shumë se 5,000 vende pune mund të krijohen në verilindje të Mbretërisë së Bashkuar si rezultat i marrëveshjes.

Përfshirë në fluksin e premtimeve teknologjike të SHBA-së, Microsoft kishte njoftuar një investim prej 30 miliardë dollarësh në infrastrukturën e inteligjencës artificiale dhe në ndërtimin e superkompjuterit më të madh të vendit, angazhimi i saj më i madh financiar ndaj Britanisë.

Google kishte njoftuar një investim prej 6.8 miliardë dollarësh në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dy viteve të ardhshme, që përfshin hapjen e qendrës së të dhënave, si dhe kërkimin dhe zhvillimin.

Dhe prodhuesi i çipave Nvidia njoftoi se do të vendoste një grup prej 120,000 çipash të përparuar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është shpërndarja më e madhe në Evropë deri më sot, tha Nvidia.

Ora 08:10
Vendosën imazhe të Trump me Epstein në muret e Kështjellës Windsor, arrestohen 4 persona në Britani

1758089504_imazhetetrumpdheepstein.webp

Katër persona janë arrestuar nga policia britanike me dyshimin se kanë projektuar imazhe të  Jeffrey Epstein, të dënuar për pedofili, së bashku me Donald Trump në muret e Kështjellës Windsor. Pamjet u shfaqën të martën në mbrëmje, ndërsa Trump mbërriti në Londër, në kuadër të një vizite dy ditore shtetërore. 

"Ne e marrim çdo aktivitet të paautorizuar rreth Kështjellës ëindsor jashtëzakonisht seriozisht", tha në një deklaratë Shefja e Policisë së Luginës së Thames, Felicity Parker.

Kështjella Windsor është vendi ku Mbreti Charles do të presë presidentin dhe zonjën e parë Melania Trump.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?