Donald Trump ka njoftuar një investim prej 20 miliardë dollarësh për ndërtimin e qendrave të të dhënave në SHBA nga miliarderi i sektorit të pasurive të paluajtshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Hussain Sajwani, themelues dhe kryetar i Damac.
Gjatë një fjalimi në Mar-a-Lago, përkrah investitorit, Trump shpjegoi se qendrat e të dhënave do të ndërtohen në disa shtete. "Jemi shumë të entuziazmuar për këtë presidencë të re," deklaroi miliarderi. Trump kujtoi angazhimin e tij për të garantuar një proces të shpejtë të autorizimit për këdo që investon të paktën një miliard dollarë në SHBA. "Trashëgojmë një situatë të vështirë nga administrata që po largohet," tha ai, "dhe ata po bëjnë gjithçka për ta bërë edhe më të vështirë." Trump premtoi se do të "përmbysë menjëherë" veprimet e fundit të ndërmarra nga Joe Biden në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. "Shpo, bebe, shpo!" tha Trump, duke përsëritur një nga sloganet e fushatës së tij, në lidhje me rikthimin e shpimeve dhe nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror.
Presidenti i zgjedhur njoftoi se do të "anulojë menjëherë" vendimin e Biden për të ndaluar shpimet në det të hapur. "Ne – tha ai, duke folur nga Mar-a-Lago në Florida – do të shpohim dhe do ta bëjmë këtë në shumë vende, dhe çmimet e energjisë do të bien deri në nivele shumë të ulëta."
"Që nga 20 janari do të ndryshojmë ekonominë shumë shpejt," vazhdoi Trump, duke iu referuar ditës kur do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. "Kemi një inflacion – shtoi ai – në një nivel që nuk e kemi parë kurrë më parë. Gjatë katër viteve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të ngrihen si një anije kozmike."
Trump kritikoi gjithashtu Biden për politikën e tij të jashtme. "Ne e mundëm ISIS-in. Nuk patëm luftëra dhe tani ndodhemi në një botë që digjet me Rusinë, Ukrainën dhe Izraelin," tha ai. Trump shtoi se tërheqja e keqmenaxhuar e SHBA-ve nga Afganistani "frymëzoi Rusinë të pushtonte Ukrainën".
Lidhur me pengjet në duart e Hamasit, ai tha se ato nuk do të lirohen para se ai të marrë detyrën, dhe paralajmëroi se "do të ndodhë ferri në Lindjen e Mesme." Trump gjithashtu përsëriti se anëtarët e NATO-s duhet të rrisin kontributin e tyre deri në 5% të PBB-së. "Shumë nuk paguajnë – tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një gazetar – Gjermania, për shembull, ka dhënë më pak se 1%."
"Ky do të jetë epoka e artë e Amerikës. Do të kemi sërish një vend të madh. Për momentin kemi një vend nën rrethim, askush nuk na respekton jashtë vendit, por tani do të ndryshojë. Kryeministrja italiane, e dini, erdhi këtu natën e kaluar, bëri një vizitë të shkurtër dhe dëshironte të më takonte," tha Trump, duke iu referuar vizitës së Georgia Melonit të shtunën në Mar-a-Lago. Presidenti i zgjedhur amerikan kujtoi gjithashtu "respektin e madh" që i ishte treguar gjatë vizitës në katedralen Notre-Dame në Paris për ceremoninë e rihapjes.
Trump insistoi gjithashtu në idenë që Shtetet e Bashkuara duhet të rimarrin Kanalin e Panamasë. "Jemi në negociata me ta," tha presidenti i zgjedhur, pa dhënë detaje. Ai shtoi se nuk mund të garantonte që nuk do të përdorej presion ushtarak ose ekonomik për kanalin. E njëjta gjë, sipas tij, mund të ndodhë edhe me Groenlandën. Ai njoftoi gjithashtu synimin për të ndryshuar emrin e Gjirit të Meksikës. "Do ta quajmë Gjiri i Amerikës, çfarë emri i bukur!" tha ai, duke ripërsëritur kërcënimet për tarifa të mëdha ndaj Meksikës dhe Kanadasë nëse nuk ndalin fluksin e emigrantëve.
Në fjalimin e tij të parë si president i zgjedhur zyrtarisht i Shteteve të Bashkuara, Trump foli për proceset gjyqësore ndaj tij. "Nëse do të kisha bërë diçka të gabuar, nuk do të isha këtu para jush tani, sepse kam fituar të gjitha proceset. Askush nuk ka fituar aq shumë sa unë kundër Departamentit të Drejtësisë," tha ai.
Avokatët e Trump kanë paraqitur një apel të ri për të ndaluar vendimin mbi çështjen e pagesave sekrete për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, të parashikuar për më 10 janar.
Trump kritikoi ashpër "përdorimin politik të drejtësisë" nga administrata demokrate kundër tij deri në momentin e fundit. Ai gjithashtu sulmoi median, duke thënë: "Gazetat kanë bërë shumë zhurmë për këto raste, por unë nuk kam bërë asgjë të gabuar." Ai konfirmoi se do të japë falje të rëndësishme për të akuzuarit lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021./ La Reppublica