Politikë

Trump ngriu fondet për SPAK, reagon BE: Mbështesim reformën në drejtësi, kemi dhënë 50 mln € asistencë teknike, 8 mln € vetëm për Prokurorinë e Posaçme

6 Shkurt, 18:35| Përditesimi: 6 Shkurt, 21:52

  • Share

TIRANË- Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me pezullimin e përkohshëm të fondeve të ndihmës së huaj të SHBA-së, që preku edhe institucionet shqiptare, përfshirë SPAK-un. Pavarësisht këtij vendimi nga administrata e re e Presidentit Trump, BE-ja konfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe veçanërisht për SPAK-un.

Në një deklaratë të ndarë për mediat, BE thotë se ka qenë dhe mbetet një nga kontribuuesit kryesorë për reformën në drejtësi në Shqipëri. Që nga nisja e reformës në vitin 2016, BE-ja ka intensifikuar mbështetjen e saj, duke ofruar mbi 50 milionë euro asistencë teknike dhe financiare, për të forcuar institucionet e reja të drejtësisë. Delegacioni i Bashkimit Europian thotë se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen, përmes fondeve të tjera si Mekanizmi i Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.

"Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.

BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri. Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve

Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor", thuhet në deklaratën e delegacionit të BE. 

Bashkimi Europian një vëmendje të veçantë i ka kushtuar SPAK, ku sqaron se ka financuar asistencën teknike për këtë institucion përmes projekteve EU4LEA dhe EU4FOCAL, me një buxhet mbi 8 milionë euro. BE thotë se SPAK ka dhënë rezultate konkrete në në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

"Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.

SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë", përfundon deklarata. 

SHBA ka ngrirë fondet për vendet e huaja për një periudhë 90 ditore menjëherë sapo Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Nga ky dekret u prekën edhe institucionet shqiptare, SPAK, e tjera të drejtësisë, të gjitha ministritë, Kuvendin e bashkitë.

Ora 21:36
Pas BE-së edhe ambasada holandeze konfirmon mbështetjen për SPAK: Vijojmë projektet

1738874529_476646137181466067253665955451.jpg

Kreu i SPAK, Altin Dumani, me përfaqësues të ambasadës së Holandës në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me pezullimin e përkohshëm të fondeve të ndihmës së huaj të SHBA-së, që preku edhe institucionet shqiptare, përfshirë SPAK.

BE konfirmon mbështetjen e për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe veçanërisht për Prokurorinë e Posacme. 

Duke vlerësuar punën e SPAK, edhe ambasada holandeze në Tiranë është shprehur se përmes programeve të saj vijon të mbështesë SPAK në përpjekje për forcimin e shtetit ligjor. 

Ambasada njofton nisjen e projektit të dytë të Holandës në ofrimin e mbështetjes së zgjeruar në hetimet financiare dhe ndarjen e ekspertizës holandeze.

"Holanda, përmes Programit MATRA, është e kënaqur të vazhdojë mbështetjen për SPAK në përpjekjet e tij për forcimin e sundimit të ligjit.

Jemi të lumtur të njoftojmë nisjen e projektit tonë të dytë – i zbatuar nga CILC – i cili fokusohet në ofrimin e mbështetjes së zgjeruar në hetimet financiare dhe ndarjen e ekspertizës holandeze për të plotësuar më tej praktikat e konsoliduara të SPAK.

Ne e njohim dhe vlerësojmë punën e jashtëzakonshme që ka realizuar SPAK dhe, me dy projekte në vazhdim, mbetemi të përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin tonë",- shkruan ambasada holandeze. 

SI.E./K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?