TIRANË- Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me pezullimin e përkohshëm të fondeve të ndihmës së huaj të SHBA-së, që preku edhe institucionet shqiptare, përfshirë SPAK-un. Pavarësisht këtij vendimi nga administrata e re e Presidentit Trump, BE-ja konfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe veçanërisht për SPAK-un.
Në një deklaratë të ndarë për mediat, BE thotë se ka qenë dhe mbetet një nga kontribuuesit kryesorë për reformën në drejtësi në Shqipëri. Që nga nisja e reformës në vitin 2016, BE-ja ka intensifikuar mbështetjen e saj, duke ofruar mbi 50 milionë euro asistencë teknike dhe financiare, për të forcuar institucionet e reja të drejtësisë. Delegacioni i Bashkimit Europian thotë se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen, përmes fondeve të tjera si Mekanizmi i Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
"Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri. Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve
Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor", thuhet në deklaratën e delegacionit të BE.
Bashkimi Europian një vëmendje të veçantë i ka kushtuar SPAK, ku sqaron se ka financuar asistencën teknike për këtë institucion përmes projekteve EU4LEA dhe EU4FOCAL, me një buxhet mbi 8 milionë euro. BE thotë se SPAK ka dhënë rezultate konkrete në në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
"Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë", përfundon deklarata.
SHBA ka ngrirë fondet për vendet e huaja për një periudhë 90 ditore menjëherë sapo Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Nga ky dekret u prekën edhe institucionet shqiptare, SPAK, e tjera të drejtësisë, të gjitha ministritë, Kuvendin e bashkitë.