Donald Trump

Bota

Trump nis letrat e para për tarifat doganore! Nga Japonia te Koreja e Jugut, ja cilat janë vendet e prekura

7 Korrik, 20:51| Përditesimi: 7 Korrik, 21:05

  • Share

Pas paralajmërimeve në rrjetin Truth Social, nisën edhe dërgesat zyrtare. Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar dje se sot, në orën 18:00 me orën shqiptare (12:00 me orën amerikane), do të niseshin letrat e para lidhur me tarifat e reja dhe marrëveshjet tregtare. Dhe kështu ndodhi. Trump postoi në llogarinë e tij në Truth kopjet e letrave për vendosjen e tarifave ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut. Në dy shkresat e ndryshme, presidenti shpall tarifa prej 25%.

Vendimi lidhet me afatin e 9 korrikut, që ishte caktuar për hyrjen në fuqi të tarifave të shpallura më 2 prill, gjatë “Ditës së Çlirimit” (Liberation Day), por që ishin pezulluar për t’i lënë hapësirë negociatave. Në letrat e dërguara shteteve të ndryshme theksohet se tarifat e reja do të fillojnë të zbatohen nga data 1 gusht.

“Rreth 12 vende të tjera do të marrin njoftime dhe letra drejtpërdrejt nga presidenti”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pas publikimit të dokumenteve nga vetë Trump në rrjet.

Tarifa shtesë për vende të tjera

Trump ka vendosur gjithashtu tarifa 40% ndaj Mianmarit (një vend i tronditur nga një tërmet shkatërrues në pranverë) dhe ndaj Laosit. Ndërkohë, Afrikës së Jugut – një tjetër vend në shënjestër të Shtëpisë së Bardhë për shkak të një discriminimi të supozuar ndaj të bardhëve – do t’i vendosen tarifa 30%.

Reagimi i tregjeve

Reagimi i tregjeve nuk vonoi. Edhe pse bursat evropiane ishin mbyllur, Wall Street u ndikua menjëherë negativisht nga vendimi i Trump për të vendosur tarifa 25% ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut.

Indeksi Dow Jones ra me 1,01%, duke zbritur në 44.390,37 pikë

Nasdaq humbi 0,83%, duke arritur në 20.431,26 pikë

S&P 500 ra me 0,81%, në nivelin 6.228,84 pikë.

Çështja BRICS

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se do të vendosen tarifa shtesë 10% ndaj çdo shteti që "rreshtohet me politikat anti-amerikane të BRICS". “Nuk do të ketë asnjë përjashtim nga kjo politikë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Kjo lëvizje ka alarmuar bllokun e 11 vendeve kryesore në zhvillim të BRICS, të udhëhequr nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, të cilat u mblodhën për dy ditë në Rio de Janeiro.

“Shprehim shqetësim të thellë për rritjen e masave të njëanshme doganore dhe jotarifore që shtrembërojnë tregtinë,” thuhet në deklaratën e përbashkët të BRICS. Sipas tyre, këto masa dëmtojnë perspektivën e zhvillimit ekonomik global. BRICS përfaqëson rreth gjysmën e popullsisë së botës dhe 40% të PBB-së globale.

Cilët janë partnerët e BRICS?

Sipas faqes zyrtare të grupit, vendet partnere janë: Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Kazakistani, Malajzia, Nigeria, Tajlanda, Uganda dhe Uzbekistani.

Trump kishte paralajmëruar më herët se BRICS do të përballeshin me tarifa deri në 100% nëse krijonin një monedhë të përbashkët apo mbështesnin ndonjë tjetër monedhë në vend të dollarit amerikan.

Nga samiti në Rio de Janeiro, BRICS kritikuan strategjinë e tarifave dhe politikat tregtare të administratës Trump, por pa e përmendur drejtpërdrejt atë në deklaratën zyrtare.

Në këtë deklaratë thuhej se "shumëzimi i iniciativave kufizuese tregtare, përfshirë rritjen e paarsyeshme të tarifave dhe barrierave jotarifore, si dhe proteksionizmi i maskuar me qëllime mjedisore, kërcënon të reduktojë më tej tregtinë globale, të ndërpresë zinxhirët e furnizimit dhe të krijojë pasiguri në ekonominë botërore, duke përkeqësuar pabarazitë ekzistuese dhe duke dëmtuar zhvillimin ekonomik global".

Pekini përgjigjet

Reagimi i Kinës ishte i menjëhershëm. Pekini theksoi se BRICS nuk kërkon përplasje me SHBA.

“Sa i përket vendosjes së tarifave, Kina ka theksuar vazhdimisht se luftërat tregtare nuk kanë fitues dhe se proteksionizmi nuk është zgjidhje”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?