Donald Trump ka shpallur një marrëveshje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë që parashikon një tarifë të përgjithshme prej 15% për mallrat japoneze të importuara në SHBA (përfshirë automjetet), investime të mëdha japoneze në tokën amerikane dhe lehtësime të tjera tregtare për mallrat amerikane.
Njoftimi i Trump-it mori disa nuanca, në mos misterioze, të paktën të një fyerjeje diplomatike: menjëherë pas tij, kryeministri japonez Shigeru Ishiba deklaroi se “duhet ende të shoh detajet e marrëveshjes”. Një rezervë që zgjati vetëm pak orë dhe që nuk la të kuptohej se marrëveshja ishte vënë në dyshim, sidomos duke pasur parasysh që Ryosei Akazaëa, kryenegociatori japonez gjatë udhëtimit të tij të tetë në Uashington, kishte shkruar në Tëitter “mision i përmbushur”.
Trump: “Marrëveshja më e rëndësishme ndonjëherë”
Presidenti amerikan, me një postim triumfues në rrjetin e tij Truth, bëri të ditur se marrëveshja parashikon që Tokio të investojë 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. “Është ndoshta marrëveshja më e rëndësishme ndonjëherë. Do të krijojë mijëra vende pune”, shkroi Trump. Ai shtoi gjithashtu se Japonia do të rrisë qasjen në treg për prodhuesit amerikanë të makinave, kamionëve, orizit (edhe pse me disa përjashtime të përmendura nga Ishiba, që theksoi se marrëveshja nuk do të dëmtojë bujqësinë japoneze) dhe disa produkte të tjera bujqësore.
Shpenzimet për mbrojtjen janë përjashtuar nga regjimi i ri doganor. Me këtë marrëveshje, Japonia shmang tarifat 25% si ato që janë kërcënuar për Evropën, dhe njoftimi vjen pikërisht në ditën kur Ursula Von der Leyen ndodhet në Tokio. Marrëveshja, sipas televizionit NHK, mban gjithsesi në fuqi tarifën 50% mbi çelikun dhe aluminin.
Sipas agjencisë Reuters, kjo është marrëveshja më domethënëse ndër ato që Trump ka arritur deri tani. Tregtia dypalëshe e mallrave mes dy fuqive arriti në gati 230 miliardë dollarë në vitin 2024, me Japoninë që regjistroi një suficit tregtar prej afro 70 miliardë dollarësh. Japonia është partneri i pestë më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara për sa i përket mallrave, sipas të dhënave të Zyrës së Regjistrimit të SHBA. Reagimi fillestar i tregut të aksioneve japoneze ishte pozitiv: indeksi Nikkei u rrit me 1.3% pas njoftimit.
Tregu i makinave: aksionet e kompanive japoneze rriten ndjeshëm
Marrëveshja, sipas burimeve amerikane, ul tarifën mbi makinat në 15%. Dhe automjetet përbëjnë një pjesë gjigante të tregtisë mes SHBA-së dhe Japonisë, por janë pothuajse të gjitha me drejtim të njëanshëm nga Japonia drejt SHBA-së – një fakt që ka acaruar Trump-in prej kohësh. Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara importuan mbi 55 miliardë dollarë në automjete dhe pjesë këmbimi (pothuajse një e katërta e të gjitha eksporteve japoneze), ndërsa vetëm pak më shumë se 2 miliardë dollarë u shitën nga SHBA në tregun japonez. Fitime të forta u regjistruan menjëherë për kompanitë automobilistike si Honda, Toyota dhe Nissan, të cilat të gjitha u rritën me të paktën 8%. Jeni u forcua ndaj dollarit.
Kritika nga Detroit: “Një marrëveshje e keqe për industrinë amerikane”
Tre prodhuesit më të mëdhenj të makinave në Detroit – General Motors, Ford dhe Stellantis, që zotëron markën Chrysler – shprehën kritika të forta ndaj marrëveshjes, duke e cilësuar atë një “marrëveshje të keqe”.
Çështja qëndron në faktin se ekzistenca e tarifave 25% për automjetet e importuara nga Kanadaja dhe Meksika krijon një pabarazi të dëmshme.
“Çdo marrëveshje – tha Matt Blunt nga American Automotive Policy – që vendos një tarifë më të ulët për importet japoneze me përmbajtje amerikane thuajse zero, në krahasim me tarifën e vendosur mbi automjetet e ndërtuara në Amerikën e Veriut me përmbajtje të lartë amerikane, është një marrëveshje e keqe për industrinë dhe për punëtorët e automobilave në SHBA.”/La Repubblica
Komente
