Pas bisedimeve pozitive midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Moskë, presidenti Donald Trump ka njoftuar se do të flasë të martën me Vladimir Putin, raporton Reuters. Presidenti amerikan deklaroi se shumë punë është bërë gjatë fundjavës, duke rritur shpresat për arritjen e një marrëveshjeje për luftën.
"Do të flas me presidentin Putin të martën. Është bërë shumë punë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse mund ta çojmë deri në fund atë luftë. Ndoshta ne mundemi, ndoshta nuk mundemi, por unë mendoj se kemi një shans shumë të mirë”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One gjatë një udhëtimi nga Florida për në Uashington.
Trump po përpiqet të fitojë mbështetjen e Putinit për propozimin 30 ditor që Ukraina pranoi javën e kaluar. I pyetur se cilat koncesione po konsiderohen në negociatat për armëpushimin, Trump tha:
"Do të flasim për tokën. Do të flasim për termocentralet. Unë mendoj se shumë prej tyre i kemi diskutuar tashmë nga të dyja palët, Ukraina dhe Rusia. Ne tashmë po flasim për këtë, duke ndarë disa asete."
Me rikthimin e Trump, SHBA ndryshoi kursin ndaj Ukrainës, duke e përshkruar si më të vështirë për të punuar me Moskën.
Disa javë më parë, Trump pati edhe një përplasje me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, të cilin e kishte ftuar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e rralla.
Komente
