Presidenti Donald Trump në një postim në 'Truth Social', paralajmëroi këtë të hënë, se do të vendosë një tarifë doganore 100% për çdo film që prodhohet jashtë Shteteve të Bashkuara.
Sipas presidentit të SHBA, biznesi i prodhimit të filmave nga SHBA, është vjedhur nga vendet e tjera lehtësisht. Trump nuk lë as pa sulmuar guvernatorin e Kalifornias, të cilin e quan të dobët dhe të paaftë.
“Biznesi ynë i prodhimit të filmave është vjedhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vende të tjera, njësoj si vjedhja e "karameleve nga një foshnjë". Kalifornia, me Guvernatorin e saj të dobët dhe të paaftë, është goditur veçanërisht rëndë! Prandaj, për të zgjidhur këtë problem të gjatë dhe të pafund, unë do të vendos një tarifë 100% për çdo film që prodhohet jashtë Shteteve të Bashkuara. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.”, shkruan Trump.
Trump nuk specifikoi se kur ose si mund të hynte në fuqi tarifa doganore. Nëse Trump e zbaton paralajmërimin e tij, kjo do të shënonte herën e parë që ai vendos një tarifë për një shërbim dhe jo për një mall.
Presidenti fillimisht kërcënoi me një tarifë doganore 100% për filmat e prodhuar jashtë vendit në maj, duke argumentuar se vendet e tjera ofrojnë stimuj tatimorë që i kanë tërhequr regjisorët jashtë vendit. Në postimin e tij të hënën, ai veçoi Kaliforninë, duke thënë se shteti "është goditur veçanërisht rëndë!"
Ndërkohë, shteti ka propozuar dhe vënë në fuqi shumë stimuj tatimorë, ashtu si edhe qytete të tjera amerikane.
Hollivudi u kap plotësisht në befasi kur Trump e prezantoi për herë të parë tarifën në maj.
Komente
