Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një raund të ri tarifash doganore shumë të rënda mbi importet e disa mallrave, nga produktet farmaceutike te kamionët. Nuk ka shumë rëndësi që, për shembull, marrëveshja me Evropën, që stabilizon shumicën e tarifave në 15%, hyri në fuqi 24 orë më parë.
Duke filluar nga 1 tetori, “do të vendosim tarifa 100% mbi çdo produkt farmaceutik të markës ose të patentuar, përveç rasteve kur një kompani po ndërton fabrikën e saj farmaceutike në Amerikë” – ka shkruar ai në rrjetin e tij social Truth, duke sqaruar se “ndërtim do të quhet një kantier në fazë nisjeje dhe/ose në ndërtim. Prandaj, nuk do të ketë tarifa mbi këto produkte farmaceutike nëse ndërtimi ka filluar”. Një mënyrë për të bindur kompanitë të zhvendosin prodhimin e tyre në SHBA, edhe sepse produktet farmaceutike kanë qenë një nga nyjet kryesore të negociatave mes Uashingtonit dhe Brukselit që synonin përjashtimin nga taksat. Por kjo nuk ndodhi: tarifa prej 15% u aplikua edhe mbi ilaçet jo gjenerike, të vetmet që përfundimisht u përjashtuan. Tani Trump shkon më tej, ndoshta sepse trembet se tregu mund të përthithë një taksë doganore relativisht të ulët pa provokuar atë efekt zhvendosjeje të prodhimit në Amerikë. Më mirë, pra, të vendoset një tatim që i detyron kompanitë të zhvendosen.
Po nga 1 tetori, do të hyjnë në fuqi tarifa prej 25% mbi importet e kamionëve të rëndë dhe 50% mbi mobiliet e kuzhinës, banjës dhe produkte të lidhura. Vendimi, ka shkruar Trump në Truth, është marrë sepse Shtetet e Bashkuara janë “të përmbytura nga këto produkte që vijnë nga vende të tjera. Është e padrejtë dhe duhet të mbrojmë, për arsye të sigurisë kombëtare, procesin prodhues”.
Europa nuk ka pasur kohë as të shijojë efektet e marrëveshjes, që duhet të përballet me rreziqe të reja tregtare që do të sqarohen vetëm në orët e ardhshme. Tarifat amerikane prej 15% mbi produktet europiane hynë në fuqi të enjten më 25 shtator. Marrëveshja e arritur në gusht tashmë është operative. Nga pakti, megjithatë, kishin mbetur jashtë çeliku dhe alumini, mbi të cilët vijon një tarifë prej 50%.
BE-ja dëshiron të përmirësojë marrëveshjen. Komisioneri për Tregtinë, Maros Sefcovic, pikërisht dje u takua me homologun e tij amerikan, Jamieson Greer: “Tani po punojmë me Shtetet e Bashkuara për të parë ku mund të gjejmë fusha të reja për përjashtime tarifore dhe të bashkëpunojmë më ngushtë për të gjetur struktura bashkëpunimi, në veçanti për çelikun dhe fushat e tjera të përfshira në marrëveshjen kuadër”. Negociatat janë ende në fillim dhe do të kërkojnë kohë, pavarësisht njoftimeve të papritura të Trump.
Dhe vjen edhe sulmi ndaj presidentit të Fed, Jerome Powell: “Të dhëna të shkëlqyera mbi ekonominë, por normat e interesit janë shumë të larta”, shkroi Trump në Truth, duke iu referuar rritjes së ekonomisë amerikane në tremujorin e dytë, e rishikuar në 3,8%. “Lajmi i mirë është se po ecim më shpejt se ‘paaftësia’ e Jerome Powell”, theksoi Trump, duke nënvizuar se pa Powell “do të ishim në 2%”./La Repubblica
Komente
