SHBA dhe Izraeli kanë nisur lëvizjet e para për të vënë në funksion planin e Donald Trump për rindërtimin e Gazës me zhvendosjen e përkohshme të palestinezëve nga enklava. Dy vendet aleate kanë kontaktuar zyrtarë nga Sudani, Somalia dhe rajoni i shkëputur i Somaliland për të diskutuar përdorimin e territorit të tyre për rivendosjen e palestinezëve nga Gaza, sipas Reuters.
Sipas raportimeve, zyrtarët e Sudanit e kanë refuzuar propozimin e SHBA ndërsa zyrtarët nga Somalia dhe Somaliland thanë se nuk ishin në dijeni të një kërkese të tillë.
Në fillim të këtij muaji, liderët arabë miratuan një plan egjiptian për rindërtimin e Gazës prej 53 miliardë dollarësh, i cili do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve nga enklava, duke kundërshtuar vizionin e presidentit amerikan Donald Trump për të ndërtuar atë që ai e quajti "Riviera e Lindjes së Mesme“.
Trump ka propozuar marrjen e Rripit të Gazës nga SHBA për të rindërtuar enklavën e shkatërruar, pasi më herët sugjeroi që palestinezët të duhet të zhvendosen. Plani i Trump përforcoi frikën e kahershme të palestinezëve për t'u dëbuar përgjithmonë nga shtëpitë e tyre dhe u prit me një refuzim të gjerë ndërkombëtar.
Grupi militant palestinez Hamas kreu sulme ndaj komuniteteve në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 njerëz peng, sipas të dhënave izraelite. Më shumë se 48,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake të Izraelit të nisur si kundërpërgjigje, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës.
Komente
