Donald Trump

Bota

Trump paralajmëron Hamasin: Lironi pengjet ose do të përballeni me ferrin! Liderët të largohen menjëherë nga Gaza

6 Mars, 09:14| Përditesimi: 6 Mars, 15:59

  • Share

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar atë që ai e quajti një “paralajmërim të fundit” për Hamasin për të liruar pengjet që mbahen në Gaza.

“Unë po i dërgoj Izraelit gjithçka që i nevojitet për të përfunduar punën, asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt nëse nuk bëni siç them unë,” tha Trump në një postim të gjatë në platformën e tij “Truth Social”.

Kjo vjen vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin për pengjet.

Uashingtoni deri më tani ka shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me grupin dhe ka një politikë të gjatë të SHBA-së kundër të paturit kontakt të drejtpërdrejtë me entitetet që i liston si organizata terroriste.

Në postimin e tij në mediat sociale, Trump tha se Hamasi do të përballej me pasoja ferri nëse pengjet nuk liroheshin, ndërsa nuk specifikoi natyrën e mbështetjes që po i dërgonte Izraelit.

“Lërini të gjithë pengjet tani, jo më vonë, dhe kthejini menjëherë të gjithë trupat e pajetë të njerëzve që keni vrarë, ose gjithçka mbaron për ju. Për drejtuesit, tani është koha për të lënë Gazën, ndërsa ju keni ende një shans,” shtoi ai.

Trump u tregua i ashpër edhe me civilët. “Gjithashtu, për popullin e Gazës: Një e ardhme e bukur pret, por jo nëse mbani pengje. Nëse e bëni, ju jeni të VDEKUR!”, shkroi ai.

Nuk është hera e parë që Trump kërcënon Hamasin. Në dhjetor ai paralajmëroi të njejtën gjë.

Postimi erdhi pasi Trump u takua me një grup pengjesh në Shtëpinë e Bardhë, të cilët ishin liruar së fundmi sipas armëpushimit, shkroi BBC.

Ndërkohë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt konfirmoi se SHBA ka negociuar drejtpërdrejt me Hamasin në përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve.

“Izraeli ishte konsultuar përpara bisedimeve”, shtoi ajo.

Ora 16:56
Hamas i përgjigjet ultimatumit të Trump: Pengjet do të lirohen vetëm në këmbim të një armëpushimi

Hamasi i është përgjigjur paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për lirimin e pengjeve.

Në reagimin e tij, Hamasi ka theksuar se do të lirojë pengjet izraelite në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm në Gaza.

Hamasi akuzoi Trumpin dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po përpiqeshin të tërhiqeshin nga marrëveshja e armëpushimit që arritën në janar.

Marrëveshja kërkon negociata mbi një fazë të dytë në të cilën pengjet do të liroheshin në këmbim të më shumë të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje izraelite nga Gaza.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?