Donald Trump

Bota

Trump paralajmëron Iranin: Çdo sulm i Houth do të konsiderohet si sulm nga Irani

17 Mars, 19:09| Përditesimi: 17 Mars, 19:12

  • Share

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke e bërë të qartë se çdo veprim i ardhshëm ushtarak nga rebelët Houthi në Jemen do të konsiderohet si një akt i drejtpërdrejtë nga Teherani.

“Çdo plumb i qëlluar nga Houthit, nga ky moment e tutje, do të konsiderohet si një sulm i kryer nga armët dhe udhëheqësia e IRANIT. IRANI do të mbahet përgjegjës dhe do të përballet me pasoja serioze!”, shkroi Trump në një deklaratë të publikuar në platformën e tij Truth Social të hënën.

Këto komente vijnë në një kohë kur tensionet në rajonin e Detit të Kuq janë përshkallëzuar, pasi rebelët Houthi kanë sulmuar anije amerikane dhe të huaja. Sipas raporteve, goditjet ajrore kanë shkaktuar dhjetëra viktima gjatë fundjavës, ndërkohë që sulmet pritet të vazhdojnë.

Trump akuzoi Iranin për mbështetje të plotë ndaj Houthive, duke i përshkruar ata si “kriminelë dhe banditë të armatosur nga Teherani”. Sipas tij, Irani jo vetëm që furnizon grupin me armë, por edhe me para, pajisje ushtarake të sofistikuara dhe informacion të klasifikuar.

“Pretendimi i Iranit se është një viktimë e pafajshme nuk qëndron. Ata janë truri prapa çdo lëvizjeje të Houthive”, theksoi Trump, duke lënë të kuptohet se SHBA do të përgjigjet me forcë në çdo rast të ri agresioni.

Megjithatë, qëndrimi i Iranit mbetet i paqartë. Ndërsa udhëheqësit e Gardës Revolucionare gjatë fundjavës u përpoqën të distancohen nga veprimet e rebelëve jemenas, Teherani nuk ka bërë ende një reagim zyrtar ndaj deklaratave të Trump-it.

Ndërkohë, grupi Houthi ka lëshuar drone dhe raketa drejt avionmbajtëses amerikane USS Harry S. Truman në Detin e Kuq, por deri tani asnjë mjet nuk ka goditur objektivin, ndërsa anija vazhdon misionet ajrore në rajon.

Në sfond të këtyre zhvillimeve, Irani po shqyrton gjithashtu një letër të dërguar nga Trump javën e kaluar, ku thuhet se ish-presidenti synon të rihapë diskutimet rreth programit bërthamor të vendit./Reuters

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?