SHBA-Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë delikate, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse afati dy-mujor i përcaktuar për një përgjigje zyrtare ka nisur nga momenti i dorëzimit të letrës së presidentit Trump apo do të fillojë vetëm kur të hapen negociatat për këtë çështje specifike.
Në rast se Teherani refuzon propozimin amerikan dhe nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve, rreziku për një ndërhyrje ushtarake nga SHBA ose Izraeli ndaj objekteve bërthamore iraniane pritet të rritet ndjeshëm.
Programi bërthamor i Iranit ka shënuar përparim të konsiderueshëm gjatë katër viteve të fundit, duke e afruar vendin më shumë se kurrë me ndërtimin e një arme bërthamore.
“Nuk mund t’i lejojmë të prodhojnë një armë bërthamore. Diçka do të ndodhë së shpejti. Do preferoja një marrëveshje paqësore, por edhe zgjidhja tjetër do ta zgjidhë problemin,” deklaroi presidenti amerikan, një ditë pas publikimit të letrës që i ishte dorëzuar disa ditë më parë presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, gjatë një takimi në Abu Dhabi.
Ndërkohë, udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei, e konsideroi ofertën për negociata si një mashtrim të qëllimshëm, që sipas tij synon të krijojë përshtypjen se Irani shmang dialogun.
Megjithatë, disa orë më pas, misioni iranian në Kombet e Bashkuara publikoi një deklaratë në rrjetin X, ku nuk përjashtohej mundësia e bisedimeve me SHBA-në mbi programin bërthamor, raportojnë mediat.
“Nëse qëllimi i bisedimeve është adresimi i shqetësimeve për militarizimin e mundshëm të programit bërthamor iranian, diskutime të tilla mund të jenë objekt shqyrtimi,” thuhej në deklaratë.
Komente
