Donald Trump

Bota

Trump paralajmëron sërish Putinin: Nëse s'ka një marrëveshje për Ukrainën së shpejti, do shtoj tarifat e sanksionet mbi gjithçka që shitet nga Rusia në SHBA

22 Janar, 17:47| Përditesimi: 22 Janar, 18:09

  • Share

Nëse nuk do të ketë një marrëveshje së shpejti për Ukrainën me Rusinë, "nuk do të kem zgjidhje tjetër përveçse të vendos më shumë taksa, tarifa dhe sanksione mbi gjithçka që shitet nga Rusia në Shtetet e Bashkuara".

Kështu ka deklaruar Donald Trump.

"Unë nuk kërkoj të dëmtoj Rusinë, më pëlqen populli rus dhe gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Putin. Nuk duhet të harrojmë që Rusia na ndihmoi gjatë Luftës së Dytë Botërore", ka shkruar Trump në Truth Social.

"Bëni një marrëveshje tani dhe i jepni fund kësaj lufte qesharake," ka shtuar më tej Trump duke iu drejtuar Putinit.

"Nëse nuk do të ketë një marrëveshje së shpejti, nuk do të kem zgjidhje tjetër përveçse të vendos taksa, tarifa dhe sanksione të reja mbi gjithçka që shitet nga Rusia dhe nga disa vende të tjera pjesëmarrëse në Shtetet e Bashkuara. Le t'i japim fund kësaj lufte, e cila nuk do të kishte nisur kurrë nëse unë do të isha president. Mund ta bëjmë këtë në mënyrë të thjeshtë ose të vështirë. Është koha për të arritur një marrëveshje, nuk duhet të humben më shumë jetë", ka përfunduar Trump.

Dje, presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu se i konsideron "të mundshme" sanksionet e reja kundër Rusisë nëse presidenti Vladimir Putin nuk negocion me Ukrainën.

Administrata Trump synon t’i japë fund luftës në Ukrainë në mënyrë "të qëndrueshme", në mënyrë që të mos shpërthejë një konflikt i ri brenda disa viteve: këtë e ka thënë sekretari i ri i Shtetit Amerikan, Marco Rubio, në një intervistë për CBS.

"Konflikti duhet të përfundojë, dhe politika e Shteteve të Bashkuara është që ne duam që ai të përfundojë, duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të përfundojë. Do të angazhohemi dhe do të sigurohemi që ai të përfundojë në mënyrë të qëndrueshme, që do të thotë se nuk duam thjesht që konflikti të përfundojë për t'u rindezur pas dy, tre ose katër vitesh. Ne duam të sjellim stabilitet," ka thënë Rubio.

Shefi i diplomacisë amerikane ka theksuar gjithashtu se Ukraina po paguan çmimin më të lartë për infrastrukturën e saj energjetike, "për njerëzit dhe jetët e humbura, për miliona ukrainas që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre dhe të jetojnë jashtë."

Rubio ka përfunduar duke theksuar se "të gjithë duhet të jenë shumë të lumtur" që Donald Trump është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, sepse ai dëshiron "të promovojë paqen në botë dhe t'u japë fund këtyre konflikteve".

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?