Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se javën e ardhshme do të shpallë tarifa doganore për gjysmëpërçuesit, duke shtuar se do të ketë fleksibilitet me disa kompani në këtë sektor. Kjo do të thotë se përjashtimi i telefonave inteligjentë dhe kompjuterave nga tarifat reciproke ndaj Kinës pritet të jetë afatshkurtër.
Shtëpia e Bardhë njoftoi përjashtimet nga tarifat e larta reciproke të premten, duke krijuar shpresë se industria e teknologjisë mund të shpëtojë nga ‘lufta’ tregtare e përshkallëzuar mes Kinës dhe SHBA dhe se produktet e konsumit të përditshëm si telefonat dhe laptopët do të mbeten të përballueshme.
Megjithatë, sekretari i tregtisë i Trump, Howard Lutnick, më herët të dielën e bëri të qartë se produktet kritike të teknologjisë nga Kina do të përballen me tarifa të reja të veçanta së bashku me gjysmëpërçuesit brenda dy muajve të ardhshëm.
Lutnick tha se Trump do të miratojë "një lloj tarife të fokusuar të veçantë" për telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe produktet e tjera elektronike në një ose dy muaj, së bashku me tarifat sektoriale që synojnë gjysmëpërçuesit dhe farmaceutikët.
Pekini rriti tarifat e veta për importet amerikane në 125% të premten si përgjigje ndaj atyre të vendosura nga SHBA. Të dielën, përpara komenteve të Lutnick, Kina tha se po vlerësonte ndikimin e përjashtimeve për produktet teknologjike të zbatuara vonë të premten.
Komente
