Donald Trump

Bota

Trump patrullon rrugët e Uashingtonit me Gardën Kombëtare, u çon ushtarëve pica dhe hamburgerë: I morëm nga vendi më i mirë

22 Gusht, 11:57| Përditesimi: 22 Gusht, 13:13

  • Share

Të enjten Donald Trump bëri një vizitë tek ushtarët e dislokuar në Uashington, duke i siguruar ata se operacioni i tij për të rivendosur rendin në kryeqytetin federal, shumë i kritikuar nga opozita, do të zgjaste "pak kohë".

"Do ta bëjmë (qytetin) të sigurt, pastaj do të shkojmë në vende të tjera, por do të qëndrojmë këtu për pak kohë. Duam që gjithçka të jetë absolutisht perfekte", tha presidenti amerikan para një qendre të policisë së Parkut Kombëtar që ndodhet në lagjen Anacostia, në Uashington.

Ai ishte i rrethuar nga pjesëtarë të forcave të rendit që i përkisnin agjencive të ndryshme federale, policisë lokale dhe policisë federale, si dhe nga ushtarë të Gardës Kombëtare, një trupë rezerve që ai urdhëroi së fundmi të dislokohej për të ndalur një kriminalitet që, sipas tij, është jashtë kontrollit, gjë e kundërshtuar nga autoritetet lokale.

Republikani 79-vjeçar nuk mori pjesë në një patrullë, siç sugjeronin deklaratat e mëparshme. Ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë pasi mbajti një fjalim të shkurtër dhe shpërndau pica dhe hamburgerë. "Jua solla hamburgerët e gatuar nga kuzhinierët e Shtëpisë së Bardhë, por picën e morëm në vendin më të mirë të qytetit", tha presidenti.

Me tonin e tij të zakonshëm emfatik, ai siguroi se nuk kishte "marrë kurrë kaq shumë telefonata" për ta falënderuar për këtë nismë në fushën e sigurisë, duke pohuar se kishte folur me banorë që nuk guxonin më të dilnin për të shkuar në restorant "prej katër vitesh'.

"Ajo që do të bëjmë gjithashtu është të rinovojmë parqet tuaja. Jam shumë i mirë në gjithçka që lidhet me barin, sepse zotëroj fusha golfi pak a shumë kudo. Di më shumë për barin se kushdo tjetër".

Më 11 gusht, biznesmeni njoftoi se qeveria e tij do të merrte nën kontroll rendin publik në kryeqytetin federal për ta "pastruar", megjithëse statistikat zyrtare tregonin një rënie të kriminalitetit të dhunshëm.

Vendimi i tij për të dislokuar ushtrinë ka ushqyer akuzat e opozitës demokrate për një rrëshqitje drejt autoritarizmit. Presidenti republikan kishte mobilizuar tashmë Gardën Kombëtare në Kaliforni në qershor, kundër mendimit të guvernatorit demokrat Gavin Newsom, duke pohuar se donte të rivendoste rendin në Los Angeles pas protestave kundër arrestimeve të dhunshme të emigrantëve nga policia federale e emigracionit (ICE).

"Nën shqyrtim vizat e të gjithë 55 milionë të huajve në SHBA"

Departamenti i Shtetit amerikan ka deklaruar se ka nisur një shqyrtim të të gjithë mbi 55 milionë të huajve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara me vizë. Lajmin e raporton në ekskluzivitet Associated Press. Departamenti ka paralajmëruar, gjithashtu, se të gjithë mbajtësit e një vize amerikane i nënshtrohen "kontrolleve të vazhdueshme" me vëmendje të veçantë ndaj çdo elementi që mund të tregojë nevojën për të revokuar lejen dhe për t’i dëbuar.

Gjykatësi: Florida bllokon zgjerimin e qendrës "Alligator Alcatraz"

Një gjykatës federal ka lëshuar një urdhër të përkohshëm që bllokon zgjerimin e mëtejshëm të qendrës së paraburgimit për emigrantët, e ndërtuar në mes të Everglades në Florida dhe e mbiquajtur "Alligator Alcatraz", e cila duhet të mbyllet brenda 60 ditëve për t’u përshtatur me ligjet mjedisore. Grupet ambientaliste dhe fisi Miccosukee argumentojnë se projekti shkel ligjet mjedisore dhe kërcënon zonat e brishta të kënetave. Qendra, e ndërtuar pothuajse dy muaj më parë, aktualisht strehon disa qindra të paraburgosur, por mund të zgjerohej deri në 3.000. Padia pretendon se qeveria shtetërore dhe ajo federale nuk kanë respektuar rregulloret mjedisore./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?