SHBA- Ish presidenti Donald Trump i cili prej muajsh po përballet me drejtësinë, së fundmi i është shtuar edhe një tjetër akuzë edhe më e rëndë, ajo e minimit të demokracisë.
Nisur nga këto zhvillime të fundit, gazetarja e ‘Zërit të Amerikës’, Keida Kostreci jep detajet më të fundit nga kjo përballje e ish presidentit të SHBA-ve me Drejtësinë.
Gazetarja Kostreci ripërsëriti që pas disa orësh Trump pritet të mbërrijë në Gjykatën Federale, por seanca e sotme është vetëm maja e ajsbergut të asaj që ish presidenti po përballet me aktpadinë prej 45 faqesh.
“Trump do të vijë pas disa orësh në Gjykatën Federale ku do t’i paraqitet aktpadia me të gjitha akuzat. Ai pritet të deklarojë veten të pafajshëm për këto akuzat. Aktpadia përbëhet prej 45 faqesh.
Atë e akuzojnë se trondite themelet e demokracisë.
Sot është vetëm fillimi formal i procesit.”- tha ajo për Report Tv
Ndër të tjera, Kostreci theksoi edhe mbështetjen e madhe që pavarësisht akuzave që po përballet, Trump ende gëzon mes Republikanëve.
“Mbështetësit e tij e përkrahin Trump dhe nuk i besojnë akuzat. Kanë mbështetur Trump dhe linjën e tij”-vijoi gazetarja.
Duhet theksuar gjithashtu se pavarësisht kësaj përballjeje, jo fort të lehtë me drejtësinë, Kushtetuta e SHBA-ve nuk e ndalon të rikandidojë sërish për President.
Kjo “mburojë” që i ofrohet Trumpit, ish presidenti e ka përdorur edhe si kundërpërgjigje ndaj akuzave, të cilat që prej ditës së parë i ka mohuar duke pretenduar se është komplot i ardhur nga zyrat e Joe Biden.