Doanld Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Trump përgatit sanksione të reja për Rusinë, por Putin është një ‘kockë’ e fortë

3 Gusht, 08:42| Përditesimi: 3 Gusht, 08:47

  • Share

Vetëm pak ditë para skadimit të ultimatumit që presidenti Trump i ka dhënë Putinit, tensionet janë në pikën më të lartë dhe rikthehet sërish shkelja e një prej tabu-ve më të mëdha: ajo e armëve bërthamore. Para se të largohej nga Mar-a-Lago për fundjavën, të premten në mbrëmje, Trump deklaroi në një intervistë për Newsmax se kishte urdhëruar dislokimin e dy nëndetëseve bërthamore “gjithnjë e më pranë Rusisë” si përgjigje ndaj deklaratave agresive të ish-presidentit rus Medvedev: “Duhet të tregoheni të kujdesshëm, kjo është kërcënimi përfundimtar”.

Pak para kësaj, presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një vizite në Kareli bashkë me presidentin bjellorus Lukashenko, kishte njoftuar se “deri në fund të vitit” do të vendosen në Bjellorusi raketat e reja me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, të afta për t’u pajisur me koka bërthamore dhe të paaksesueshme deri më sot nga sistemet mbrojtëse – një paralajmërim për shtetet evropiane “të gatshme” që mbështesin dhe furnizojnë me armë Kievin.

Por ndërkohë që retorika ashpërsohet, nuk lihen mënjanë përpjekjet diplomatike: gjatë ditëve në vijim, Trump do të dërgojë në Moskë të dërguarin e tij për negociata, Witkoff. “Putini është një kockë e fortë – thotë Trump në intervistë – por jam i habitur. Kemi zhvilluar disa bisedime shumë pozitive ku mund të kishim gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë, dhe papritur nisën bombardimet”.

Të premten, kur përfundon afati i ultimatumit, Trump mund të shpallë “sanksione të reja” nëse Rusia nuk ndryshon rrënjësisht qasjen e saj dhe nuk ecën drejt përfundimit të luftës. Megjithatë, ai e konsideron këtë kërcënim pak efektiv: “Putini ia del mirë me sanksionet, di si t’i shmangë, është një kockë e fortë”.

Kievi, ndërkohë, kundërpërgjigjet me çfarë mundet. Natën e së premtes lëshoi një nga sulmet më masive ndonjëherë me dronë, duke goditur rafineritë ruse në Ryazan dhe Novokujbeshiv, një depo karburanti, një fabrikë të elektronikës ushtarake dhe bazën ajrore në Primorsko-Ahtarsk, prej nga ngrihen çdo natë dronët “Shahed”. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka rrëzuar 112 dronë dhe njoftoi se të shtunën kishte shkatërruar një urë në Kherson përmes një bombardimi ajror, duke izoluar një lagje të tërë. Në Druzhkivka, në Donbas, dronët rusë goditën një qendër rekrutimi, por edhe banesa e dyqane. Shpërthime u raportuan edhe në Mykolaiv dhe Çernihiv.

Por Kievi po përballet edhe me një skandal të ri: me urdhër të NABU dhe SAPO (zyra dhe prokuroria kundër korrupsionit), dje u kryen katër arrestimet e para në një hetim të gjerë për politikanë dhe zyrtarë që pasuroheshin në mënyrë të paligjshme përmes tenderëve për dronë dhe sisteme lufte elektronike. Vetëm dy ditë pas fitores së ashtuquajtur “protesta e kartonëve” – e cila e detyroi Parlamentin të miratonte dekretin me të cilin presidenti Volodymyr Zelensky riformuloi ligjin “antimafie” që vetë kishte propozuar dhe firmosur disa ditë më parë – NABU dhe SAPO goditën fort.

Në qendër të hetimeve janë furnizimet ushtarake me çmime të fryra në një sektor kyç për mbrojtjen: mjetet ajrore pa pilot dhe sistemet për neutralizimin e dronëve armikë.

Ndër të hetuarit është edhe deputeti Oleksiy Kuznetsov nga partia në pushtet “Shërbëtori i Popullit” (partia e presidentit Zelensky), si dhe prefektët e Mukachevo dhe Rubizhne, Serhiy Gaidai dhe Andriy Yurchenko, të dy të emëruar nga presidenti. Emrat e të arrestuarve ende nuk janë bërë zyrtarë, por besohet se Kuznetsov dhe Gaidai janë mes tyre. Hetimi ka nisur nga një seri raportimesh të kolektivit të gazetarëve investigativë ukrainas, të cilët kanë zbuluar se keqpërdorimi i fondeve ka ulur ndjeshëm cilësinë e pajisjeve mbrojtëse, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare./La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 03/08/2025 09:56

    Idiotet e shekullit 21 kush ju jep te drejten ketyre dyve qe te zhdukin njerezimin ,per mua munden te fillojne sot por nuk e kuptoj boten ku nuk organizojne nji manifestim anti armeve berthamore dhe ti zhdukin ne gjith gllobin ,pra nuk duhet te frikesohemi nga armet berthamore neve dote zhdukemi por edhe ata qe doti perdorin dote zhduken nga radiaktivi kush fitoj Askush.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?