Princ Harry mund të marrë frymë lirisht në Montecito, pasi ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta dëbojë nga SHBA.
Statusi i emigracionit të Dukës së Sussex-it është në qendër të një procesi gjyqësor në Uashington DC, ku Fondacioni Heritage pretendon se ai mund të ketë fshehur përdorimin e mëparshëm të drogës, çka mund ta kishte skualifikuar për një vizë amerikane.
Por Trump i tha The New York Post se nuk është i interesuar ta dëbojë:
"Nuk dua ta bëj këtë. Do ta lë rehat. Ka boll probleme me gruan. Ajo është e tmerrshme," u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Trump shfrytëzoi rastin për të lavdëruar Princin William, me të cilin u takua privatisht në Paris në dhjetor, gjatë ceremonisë së rihapjes së Katedrales së Notre-Dame.
"Mendoj se William është një djalë i shkëlqyer," tha ai.
Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, janë shprehur hapur kundër Trump gjatë viteve, madje Dukesha e ka quajtur atë "përçarës" dhe "mizogjinist". Nga ana tjetër, Trump e ka përshkruar Harry-n si të "dominuar" nga Markle.
Fondacioni Heritage ka ngritur padi kundër Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA për të detyruar publikimin e të dhënave mbi vizën e Harry-t, duke argumentuar se ai mund të ketë marrë trajtim të privilegjuar nga administrata Biden. Ata bazohen në autobiografinë e tij "Spare", ku ai pranon përdorimin e kokainës, kanabisit dhe substancave haluçinogjene.