Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin dhe Donald Trump

Bota

Putin thotë po! Takimi me Zelenskyn brenda gushtit, Macron: Të zhvillohet në Gjenevë! Merz: Jo koncesione territoresh

19 Gusht, 07:10| Përditesimi: 19 Gusht, 11:56

  • Share

Vladimir Putin thotë “po” për një takim dypalësh me Volodymyr Zelensky. Takimi ballë për ballë mes dy rivalëve do të zhvillohet brenda muajit gusht, në një vend ende të pacaktuar, por presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar Gjenevën.

Takimi do të pasohet nga një tjetër trepalësh me Donald Trump.  “Përgatitjet po zhvillohen”, tha presidenti amerikan duke iu referuar samitit mes dy liderëve. Një takim historik gjatë të cilit, pranoi Zelensky, do të trajtohet çështja e territoreve, temë që nuk u diskutua gjatë takimeve të ditës së djeshme në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se Trump ka folur prej javësh për shkëmbim territoresh.

Vëmendja e liderëve ishte përqendruar te garancitë e sigurisë, një pikë mbi të cilën do të vazhdojnë diskutimet. 

“Diskutuam për garancitë e sigurisë për Ukrainën, garanci që do të ofrohen nga disa vende evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara”, shpjegoi Trump pa hyrë në detaje.

“Po vlerësojmë garanci në stilin e nenit 5 të NATO-s”, theksoi sekretari i përgjithshëm Mark Rutte në një intervistë për Fox, duke saktësuar se nuk është folur për vendosjen e mundshme të trupave amerikane. “Do të punojmë në ditët në vijim, kemi nevojë të diskutojmë më shumë detaje”, shtoi ai.

“Perëndimorët do të formalizojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën brenda 10 ditëve”, njoftoi Zelensky, duke lënë të kuptohet se negociatat do të vazhdojnë me intensitet.

Liderët evropianë, përfshirë presidentin ukrainas, folën për një takim të mirë dhe konstruktiv në Shtëpinë e Bardhë me Trump. Bisedimet ishin “intensive”, theksoi kancelari gjerman Friedrich Merz, duke saktësuar se nuk mund t’i imponohen Kievit koncesione territoriale. Megjithatë, Merz shprehu vlerësim për angazhimin amerikan për të ofruar garanci sigurie.

Duke folur për “përparime”, presidenti francez Emmanuel Macron megjithatë u shpreh i kujdesshëm: “Dyshoj se Putini dëshiron paqen”, tha ai, duke kërkuar “rritje të sanksioneve” ndaj Rusisë nëse negociatat dështojnë. 

Lideri i Kremlinit “nuk është i besueshëm”, vuri në dukje presidenti finlandez Alexander Stubb, duke theksuar se telefonata e Trump me liderin e Kremlinit në mes të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ishte një ide e mirë. Megjithatë, shtoi ai, mbetet të shihet nëse do të ketë guximin për një takim të tillë.

“Në Uashington pati bisedime të rëndësishme… u hodh një hap i rëndësishëm, një demonstrim i vërtetë i unitetit mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi në Telegram presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët evropianë. Kreu i shtetit ukrainas përsëriti se “garancitë e sigurisë” janë “një çështje themelore, si pikënisje për t’i dhënë fund luftës”.

“Liderët erdhën personalisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të diskutuar gjithçka që do të na afrojë drejt një paqeje reale, drejt një arkitekture sigurie të besueshme që do të mbrojë Ukrainën dhe gjithë Evropën. Vazhdon puna jonë, vazhdojmë të koordinojmë veprimet tona me të gjithë aleatët që duan t’i japin fund luftës në mënyrë dinjitoze. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë”, shtoi Zelensky. 

Autoritetet e Kievit pohojnë se Rusia ka lëshuar mbrëmë një valë sulmesh me raketa dhe dronë kundër qyteteve ukrainase, pak orë pas përfundimit të bisedimeve të paqes mes Zelenskyt dhe Trump. Shpërthime u raportuan në qytetin qendror-lindor të Kremenchuk, në rajonin e Poltavës. Objektiv i sulmit ishte një infrastrukturë energjetike, sipas mediave lokale. Forcat ajrore ukrainase bënë të ditur se edhe qytete pranë vijës së frontit, përfshirë Kharkivin dhe Poltavën, ishin nën kërcënimin e sulmeve me raketa. 

Moska thotë se mbrojtja ajrore ka rrëzuar mbrëmë 23 dronë ukrainas mbi rajonet ruse të Volgogradit dhe Rostovit si edhe mbi Krime. 

Lajm në përditësim…

Ora 11:54
Lavrov: Ne nuk kemi kërkuar kurrë territore, por mbrojtje të rusishtfolësve në Ukrainë

1755244833_sergeylavrov.jpg

Rusia nuk ka kërkuar kurrë thjesht të pushtojë territore në Ukrainë, qoftë Krimea, Donbasi apo Novorossia. Qëllimi i saj është të mbrojë rusët që historikisht kanë jetuar atje. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov një ditë pas samitit në Shtëpinë e Bardhë me Volodymyr Zelenskyn, Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë.

"Dua të theksoj edhe një herë se nuk kemi folur kurrë për thjesht pushtimin e territoreve. As Krimea, as Donbasi, as Novorossia si territore nuk kanë qenë kurrë qëllimi ynë. Qëllimi ynë ishte të mbronim njerëzit, popullin rus, i cili ka jetuar në këto toka për shekuj me radhë, i cili i zbuloi këto toka, derdhi gjak për to si në Krime ashtu edhe në Donbas, krijoi qytete si Odessa, Nikolaev dhe shumë të tjera, porte, fabrika dhe uzina", deklaroi ministri rus.

Ora 09:35
Starmer: Negociatat për garancitë e sigurisë në Ukrainë do të vazhdojnë sot

1754638867_keirstarmer.png

Negociatat mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve kryesorë evropianë të Kievit do të vazhdojnë sot, deklaroi dje kryeministri britanik Keir Starmer në një intervistë për BBC-në.

"Tani do të punojmë me Shtetet e Bashkuara për këto garanci sigurie", tha Starmer në Uashington.

"Ne kemi ngarkuar ekipet tona. Disa prej tyre madje do të mbërrijnë nesër për të filluar punën e detajuar mbi këtë."

Udhëheqësi britanik shtoi se garancitë "do të sigurojnë qytetarët e Evropës, Ukrainës dhe veçanërisht Mbretërisë së Bashkuar".

Dje, Zelensky u tha gazetarëve se garancitë e sigurisë për Ukrainën do të formalizohen brenda 10 ditësh.

Ora 09:30
Macron propozon që takimi mes Putinit dhe Zelenskyt të mbahet në Gjenevë

1755545113_macron.JPG

Presidenti francez Emmanuel Macron kërkon që takimi mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt të zhvillohet në Evropë. Macron propozon që takimi të mbahet në Gjenevë.

"Më shumë se një hipotezë, është në fakt një vullnet kolektiv", tha Macron në një intervistë të transmetuar në LCI, kur u pyet nëse takimi i paralajmëruar midis Trump dhe disa udhëheqësve evropianë duhet të zhvillohet në Evropë.

"Do të jetë në një vend neutral, kështu që ndoshta Zvicra - Gjeneva - ose një vend tjetër. Herën e fundit që patëm bisedime dypalëshe, ishte në Stamboll", vuri në dukje presidenti francez.

Ora 08:22
Ishte i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, presidenti finlandez: Putini nuk është i besueshëm

1755584696_0028452b65874f05b519b887a7bdb6e4.webp

Presidenti finlandez Alexander Stubb, i pranishëm me udhëheqës të tjerë evropianë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, nuk i beson shumë Vladimir Putinit.

Ai ka deklaruar se presidenti rus “nuk është i besueshëm”, teksa ka komentuar edhe një takim të mundshëm mes tij dhe Zelenskyt për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë.

Ora 07:58
Zelensky: Një hap i rëndësishëm është ndërmarrë në Uashington

1755583162_trumpzelensky.webp

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkroi në rrjete sociale pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë se një hap i rëndësishëm është bërë në Uashington.

"Bisedime të rëndësishme u zhvilluan në Uashington... është bërë një hap i rëndësishëm, një demonstrim i unitetit të vërtetë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara", shkroi ai.

Kreu i shtetit ukrainas përsëriti se "garancitë e sigurisë" janë "një çështje themelore, si pikënisje për t'i dhënë fund luftës".

"Udhëheqësit erdhën personalisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të diskutuar gjithçka që do të na afrojë me paqen e vërtetë, me një arkitekturë të besueshme sigurie që do të mbrojë Ukrainën dhe të gjithë Evropën. Ne vazhdojmë të punojmë, për të koordinuar veprimet tona me të gjithë aleatët që dëshirojnë ta përfundojnë luftën në një mënyrë dinjitoze. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë.", shtoi ai.

Ora 07:18
Merz: Takimi Putin-Zelensky do të zhvillohet brenda dy javësh

1755544655_AA.JPG

Takimi midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky do të zhvillohet brenda dy javësh.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e tha këtë në fund të bisedimeve "shumë intensive" në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump, gjatë të cilave udhëheqësit evropianë mirëpritën garancitë e sigurisë të presidentit amerikan për Ukrainën.

Ata përsëritën gjithashtu se lëshimet territoriale nuk mund t'i imponohen Kievit.

Ora 07:17
Macron shprehet skeptik: Dyshoj se Putini dëshiron paqe

1755580707_macron.webp

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ishte gjithashtu prezent në takimin e djeshëm në Shtëpinë e Bardhë, është shprehur skeptik se Vladimir Putin kërkon paqe në Ukrainë.

"Dyshoj se Putini dëshiron paqe. Kemi bërë përparim, por mbetem i kujdesshëm", tha Macron, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Macron bëri thirrje për "sanksione të shtuara" kundër Rusisë nëse negociatat dështojnë.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • fitimi: 19/08/2025 09:33

    DUHEJ TE kishe hyre qe ne fillim ne bisedime me rusine zelensk,, qe te parandaloje luften...tani eshte vone e ka marre ferra uraten....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?